Ballina Editorial Tubi i Saliut dhe zorra e lubikompanive

Tubi i Saliut dhe zorra e lubikompanive

29
0

Nga Klodian Tomorri 

Banda e gjeti sërish justifikimin për të qorruar popullin. Tubin e Vlorës, që u ça, e paska vënë Saliu në vitin 2009. Dhe meqë Saliu i bënte gjithmonë gjërat mbrapsht, ngaqë vidhte shumë, paska vënë një tub të lirë, difektoz, i cili është i vështirë për t’u zëvendësuar sepse nuk prodhohet më nga asnjë fabrikë.

Nga viti 2009 kanë kaluar 17 vjet. Dhe për 17 vjet në Ujësjellësin e Vlorës janë shpenzuar qindra milionë euro në tendera. I fundit ishte 7.5 milionë euro, në mars të këtij viti. Fituesit ishin 2T e Gramos Sakos dhe Alko Impex e Arbër Abazit.

Arsyeja se pse Vlora nuk ka ujë nuk është tubi i Saliut, por tentakulat kriminale të një bande, e cila përmes një grushti kompanish ka përlarë miliarda euro në ujësjellësat e vendit.

Në Vlorë është Sako, më tutje Kovaçi i Durrësit, më tej akoma Alkoja e kështu me radhë. Këto nuk janë kompanitë e Saliut, por janë lubitë e Lubisë së madhe dhe zarlubive të vegjël, që herë emëroheshin te ujësjellësat dhe më pas u vunë në listën e Fierit për të vendosur rekorde votash. Këta kanë bërë namin te ujësjellësat.

Dhe e gjitha kjo ishte një skemë e mirëmen-duar, jo korrupsion sporadik. Së pari, përmes reformës së famshme të centralizimit, e cila ua hoqi ujësjellësat bashkive dhe i përqendroi në ministri dhe AKUM.

Kjo u shit si reforma që do të zgjidhte problemin e furnizimit me ujë, do të shëndoshte financat e ujësjellësave të falimentuar e kështu me radhë. Por i vetmi qëllim i saj ishte përqendrimi i tenderave te grushti i lubikompanive.

Miliardat u ujit u rrëmbyen për të rrëmbyer më pas votat e rezultateve spektakolare në Fier, Vlorë e kudo, ndërsa uji u tret, ashtu si miliardat e qytetarëve. Dhe për të justifikuar dështimin, në Vlorë u gjet një grup i rrezikshëm armiqësor, i përbërë nga punonjës dhe ish-punonjës të ujësjellësit që vidhnin pagat me gjykatë.

Ndërsa në rang kombëtar u tha se përqendrimi në 15 kompani nuk mjaftonte. Duhej edhe më shumë përqendrim dhe për këtë u shpik ngritja e Operatorit Kombëtar të Ujit, sipas modelit të OSHEE-së me energjinë.

Pra, arsyeja se pse vlonjatët dhe gjithë shqiptarët po zënë morra në shekullin e 21-të nuk është Bashkia e Vlorës, ku ata po protestojnë nga dëshpërimi. Nuk janë as përrallat me tubat e Saliut, por zorra e trashë e grushtit të lubikompanive, e cila qytetarëve u është rrasur dhunshëm gjer në fyt. Por me gjasë të gjitha këto do të dalin edhe nga mesazhet e telefonave të sekuestruar në SPAK.

17 vjet dhe prapë te tubi i Saliut. Fundja, ç’janë 17 vjet? Asgjë nuk janë. Por për armiqtë janë 17 shekuj, aman. 17 shekuj. Ndaj, sa të përfundojë edhe përqendrimi i përqendrimit, duhet durim.