Ballina Aktualitet Vlora pesë ditë pa ujë, kryebashkiakja: Fatkeqësi natyrore, jo përgjegjësi institucionale, protestat...

Vlora pesë ditë pa ujë, kryebashkiakja: Fatkeqësi natyrore, jo përgjegjësi institucionale, protestat politike

34
0

Qytetarët e Vlorës kanë protestuar sërish këtë të hënë përpara Bashkisë së qytetit, në shenjë revolte për mungesën e ujit të pijshëm, problem që prej katër deri në pesë ditësh ka prekur pjesën më të madhe të qytetit.

Të irrituar nga situata e zgjatur, protestuesit kanë akuzuar institucionet për keqmenaxhim dhe abuzim me fondet publike. “Kanë vjedhur 50 milionë euro investime nga ujësjellësit. Nëse nuk vjen askush të na japë zgjidhje, do zbresim dhe do bllokojmë aksin kryesor”, u shpreh një prej qytetarëve. Një tjetër paralajmëroi rrezikun për shëndetin publik: “Jemi në prag të një epidemie”.

Edhe pse ndodhemi në prag festash, qytetarët e Vlorës kanë mbetur për disa ditë pa furnizim me ujë të pijshëm, një situatë e pazakontë dhe alarmante, e cila ende nuk ka gjetur zgjidhje përfundimtare nga Ujësjellësi. Mungesa e ujit ka sjellë edhe pezullimin e aktivitetit të dhjetëra bizneseve në qytet.

Protesta e sotme, më 29 dhjetor, u zhvillua para ambienteve të Bashkisë së Vlorës, ku ishte e pranishme edhe policia. Situata u tensionua pasi protestuesit përplasën dyert e institucionit dhe tentuan të futen brenda godinës. “Duam ujë”, “Të vijë kryetarja”, “Hapni dyert e bashkisë”, ishin thirrjet që dëgjoheshin gjatë protestës.

Tensionet kishin nisur që të dielën, kur qytetarët u mblodhën në Teatrin e qytetit “Petro Marko”, duke mos lejuar zhvillimin e një koncerti. Për shkak të situatës, artistët u detyruan të largoheshin nga skena dhe aktiviteti u anulua. Në vendngjarje ndërhyri policia, e cila shoqëroi disa persona.

Ndërkohë, Kryebashkiakja e Vlorës, Brunilda Mersini, ka deklaruar se problemi nuk është as teknik dhe as institucional, por një “fatkeqësi natyrore”. Ajo theksoi se ujësjellësi nuk është në varësi të bashkisë dhe se “nuk është momenti të ndajmë përgjegjësi”.

Sipas Mersinit, testimi i fundit ka rezultuar pozitiv dhe një pjesë e qytetit, konkretisht zona e Lungomares, ka nisur të furnizohet me ujë, por vetëm me presion minimal, për të mos rritur rrezikun në linjë.

Protestat e qytetarëve janë cilësuar nga kryebashkiakja si të organizuara politikisht, duke akuzuar opozitën se “po përpiqet të bëjë opozitë me fatkeqësi natyrore”.

Qytetarët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave dhe bllokim rrugësh nëse problemi i furnizimit me ujë nuk zgjidhet urgjentisht.