Marrëdhëniet mes njerëzve dhe inteligjencës artificiale po ngjallin gjithnjë e më shumë shqetësim në opinionin publik.
Paralajmërimet për ndikime negative psikologjike, përfshirë raste të lidhura me dëmtime të shëndetit mendor pas ndërveprimeve me chatbot-e, kanë dominuar titujt e mediave ndërkombëtare. Madje, termi “psikozë e lidhur me AI” është përdorur për të përshkruar gjendje si deluzione, paranojë apo shkëputje nga realiteti pas komunikimit intensiv me modele të mëdha gjuhësore.
Sipas The Guardian, këto shqetësime janë shtuar edhe nga studime që tregojnë se të rinjtë po i përqafojnë gjithnjë e më shumë marrëdhëniet me IA. Rreth gjysma e adoleshentëve bisedojnë me një “shoqërues” artificial disa herë në muaj, ndërsa një në tre e konsideron komunikimin me IA po aq, ose më të kënaqshëm sesa bisedat me miqtë realë.
Megjithatë, rreziqet ekzistojnë, por po aq reale janë edhe përfitimet e mundshme. Në varësi të asaj që do të tregojnë kërkimet shkencore në të ardhmen, marrëdhëniet me IA mund të rezultojnë të dobishme për shoqërinë.
Një histori e gjatë marrëdhëniesh “jo-njerëzore”
Njerëzit, historikisht, kanë krijuar marrëdhënie kuptimplota me entitete jo-njerëzore, kafshë shtëpiake, lodra, objekte apo edhe makina.
Shumica e këtyre marrëdhënieve, përfshirë ato parasociale (njëanshme), janë normale dhe të shëndetshme, rrallëherë patologjike.
Ajo që e bën IA-në ndryshe, është aftësia e saj për të përdorur gjuhë të rrjedhshme dhe për të simuluar mendime apo emocione gati njerëzore.
Modelet gjuhësore kanë prirjen të jenë miratuese dhe të mos sfidojnë përdoruesin, çka mund të forcojë bindje të gabuara. Kjo krijon një rrezik unik që nuk ekziston në marrëdhëniet me kafshë apo objekte.
Vetmia dhe roli i IA-së
Vetmia mbetet një problem global serioz. Një në gjashtë persona në botë e përjeton atë, me pasoja të rënda për shëndetin.
Disa studime të hershme sugjerojnë se shoqëruesit artificialë mund të ndihmojnë në uljen e ndjenjës së vetmisë, jo thjesht si shpërqendrim, por përmes vetë marrëdhënies parasociale.
“Nëse nuk e kupton pse njerëzit e kërkojnë këtë lidhje, ndoshta ke pasur fatin të mos e përjetosh vetminë”, shprehet gazetarja Sangita Lal për personat të cilët perdorin IA-në për shoqëri, duke theksuar se ata nuk duhen gjykuar, por duhen kuptuar.
IA si mjet terapeutik
Përtej shoqërimit, inteligjenca artificiale po testohet edhe si mjet në psikoterapi.
Një studim tregoi se pacientët që përdorën një chatbot terapeutik patën ulje të ndjeshme të simptomave të ankthit, edhe pse rezultatet ishin më të mira me terapistë njerëzorë.
Kjo qasje ka vlerë praktike, sidomos për miliona njerëz që nuk kanë akses në shërbime profesionale të shëndetit mendor.
Megjithatë, The Guardian thekson se kërkimi shkencor është ende në faza të hershme dhe nuk lejon përfundime përfundimtare.
Rreziku i interesave komerciale dhe roli i kufizuar i IA
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me faktin se shumica e platformave të shoqërimit me IA zhvillohen nga kompani fitimprurëse. Këto kompani kanë interes të minimizojnë rreziqet dhe të theksojnë përfitimet, shpesh pa transparencë të mjaftueshme shkencore.
Kjo situatë mund të krahasohet me përdorimin e opiumit në histori, i dobishëm nëse përdoret me përgjegjësi për lehtësimin e dhimbjes, por shkatërrues nëse shfrytëzohet për përfitim financiar pa kontroll.
Ekziston optimizmi se IA mund të ketë vend në shoqëri, por vetëm nëse përdoret me kujdes, mbështetur në kërkime solide dhe me qëllim të mirës publike.
Shoqëruesit artificialë duhet të ndihmojnë njerëzit të zhvillojnë aftësi sociale reale, jo të zëvendësojnë marrëdhëniet njerëzore.
Qëllimi përfundimtar, duhet të jetë që këto sisteme të bëhen të panevojshme. Sado e dobishme të jetë teknologjia për të lehtësuar vetminë apo mungesën e shërbimeve, komunikimi me një njeri real mbetet gjithmonë alternativa më e mirë.







