Ballina Aktualitet KLSH: Kërkimi shkencor në Universitetin e Tiranës me realizim mesatar vetëm 39%

KLSH: Kërkimi shkencor në Universitetin e Tiranës me realizim mesatar vetëm 39%

31
0

Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit për Universitetin e Tiranës (Rektoratin) thekson mangësitë  serioze mbi mënyrën se si financohet dhe realizohet kërkimi shkencor, duke vënë në pikëpyetje përmbushjen e një prej misioneve themelore të arsimit të lartë.

Sipas auditimit, veprimtaria kërkimore-shkencore, e cila synon të mbështesë zhvillimin e vendit dhe rritjen e cilësisë së arsimit, shfaq probleme të vazhdueshme planifikimi dhe eficience në përdorimin e fondeve.

Të dhënat financiare për zërin 602 nga të ardhurat tregojnë se në vitin 2021 u realizuan gjithsej 126.2 milionë lekë, nga të cilat 38% u destinuan për kërkimin shkencor dhe 62% për shpenzime operative. Në vitin 2022 realizimi arriti në 131.6 milionë lekë, por pesha për kërkimin shkencor ra në 32%, ndërsa 68% u përdor për shpenzime operative. Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në vitin 2023, me realizim total 135.9 milionë lekë, ku vetëm 34% shkuan për kërkimin shkencor dhe 66% për shpenzime operative.

Edhe financimi nga buxheti i shtetit për të njëjtin zë paraqet problematika të dukshme. Në vitin 2021, nga 203,470,882 lekë të realizuara, vetëm 9% u përdorën për kërkimin shkencor dhe 91% për shpenzime operative. Në vitin 2022, realizimi total u rrit në 250,031,747 lekë, por pjesa për kërkimin shkencor ra në 6%, ndërsa 94% u destinuan për shpenzime operative. Në vitin 2023, megjithëse realizimi ishte 216,927,011 lekë, vetëm 13% u përdorën për kërkimin shkencor, përkundrejt 87% për shpenzime operative.

Nga analiza e të dhënave, grupi i auditimit konkludon se përqindja mesatare e realizimit të kërkimit shkencor për tri vitet është vetëm 39%. Problematikat më të theksuara shfaqen te kërkimi shkencor i financuar nga të ardhurat, ku realizimi ka qenë 39% në vitin 2021, ka rënë në 29% në vitin 2022 dhe ka mbetur në nivele të ulëta edhe në vitin 2023 me 30%. Kjo, sipas KLSH-së, tregon një parashikim jo të saktë të të ardhurave dhe një shpenzim jo eficient të tyre.

Auditimi vë në dukje gjithashtu se në vitin 2021, kërkimi shkencor i financuar nga buxheti ka pasur një realizim prej 45%, situatë që bie në kundërshtim me Ligjin nr.57, datë 02.06.2016, për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë. Po ashtu, mënyra e planifikimit të fondeve, ku nga të ardhurat janë parashikuar 38% për kërkimin shkencor në vitin 2021 dhe 32% në vitin 2022, ndërsa nga granti vetëm 9% në vitin 2021 dhe 6% në vitin 2022, konsiderohet në kundërshtim edhe me Ligjin 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor”.

Sipas KLSH-së, shkaku kryesor i kësaj situate është mungesa e vëmendjes institucionale ndaj kërkimit shkencor, ndërsa efekti i drejtpërdrejtë është mungesa e eficencës në arritjen e një prej misioneve bazë të arsimit të lartë.

Raporti sugjeron se pa një riorientim serioz të politikave financiare dhe një planifikim më realist, kërkimi shkencor në Universitetin e Tiranës rrezikon të mbetet në nivele formale, pa ndikimin e pritshëm në zhvillimin akademik dhe shoqëror.

Po kështu, nga auditimi i dokumentacionit mbi shpenzimin e fondeve të krijuara nga të ardhurat dytësore (kap. 6) raporti konkludon se ka një realizim mesatar në masën 44,3%, ku zërat me realizimin më të ulët janë “Shpenzime Operative”, në vitin 2021 realizim 40%, në vitin 2022 realizim 39%, në vitin 2023 ka realizim prej 44%. Artikulli “Investime” me realizim 20% në vitin 2021, 33% në vitin 2022 dhe 16% në vitin 2023. Gjithashtu, të ardhurat e trashëguara nuk janë përdorur me eficiencë dhe për vitet respektive, konkretisht: janë shfrytëzuar për vitin 2021 vetëm 38% e tyre, në vitin 2022 janë përdorur 50% e të ardhurave dhe në vitin 2023 janë përdorur 53% e tyre.

Këto konkluzione vërtetojnë mosvënien në përdorim të të ardhurave të realizuara nga UT dhe mungesën e një analize të saktë dhe efektive ekonomike mbi shfrytëzimin e fondeve për nevojat e institucionit, përfundon raporti.