Ballina Ekonomia Ndryshon mosha e daljes në pension për gratë, shkon në 62 vjeç,...

Ndryshon mosha e daljes në pension për gratë, shkon në 62 vjeç, rritet vjetërsia në punë për burrat

42
0

Teksa skema e pensioneve pritet të rishikohet, me nisjen e vitit 2026 ndryshon mosha e daljes në pension për gratë si dhe vitet e vjetërsisë në punë për të dy gjinitë, sipas ndryshimeve që hynë në fuqi në janar të vitit 2015. Reforma e ndërmarrë 11 vite më parë parashikoi një rritje graduale e moshës dhe vjetërsisë në punë, çka lidhet direkt me masën e pensionit.

Kështu, gjatë këtij viti një grua duhet të jetë 62 vjeç, në mënyrë që të përmbushë kriteret e daljes në pension. Me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dyja gjinitë.

Por, ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se, nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhej të kishte 35 vite vjetërsi, nga data 1 janar 2026 duhet të ketë 39 vjet. E njëjta logjikë vlen edhe për gratë, të cilave paralelisht me moshën u rriten edhe vitet e vjetërsisë në punë. Referuar legjislacionit në fuqi, rritja graduale e vjetërsisë ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, duke qenë se është një prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij. Sipas formulës, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social, shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë.

Mosha e daljes në pension, në vitin 2026

Burra 65 vjeç

Gra 62 vjeç

Vjetërsia në punë

Viti 2025 38 vjet e 8 muaj

Viti 2026 39 vjet