Ballina Aktualitet Reshjet bllokojnë rrugët në qarkun e Shkodrës, mbi 200 mjete të bllokuara...

Reshjet bllokojnë rrugët në qarkun e Shkodrës, mbi 200 mjete të bllokuara pranë Koplikut! Nis ndërhyrja e pastrimit

12
0

Një situatë e vështirë ka përfshirë disa akse rrugore në Qarkun e Shkodrës gjatë orëve të fundit, ku reshjet e breshërit dhe dëborës kanë krijuar vështirësi të konsiderueshme në qarkullimin e automjeteve.

Sipas një njoftimi zyrtar nga Prefekti i Qarkut Shkodër, disa familje, përfshirë edhe fëmijë, kanë mbetur të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore. Problemet janë evidentuar në aksin nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje drejt qytetit të Koplikut.

Aktualisht, mbi 200 mjete po përpiqen të lëvizin drejt Koplikut, ndërsa reshjet e breshërit dhe dëborës të alternuara me ngrica e kanë bërë qarkullimin të vështirë dhe të rrezikshëm.

Ndërhyrja në terren nga shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese ka rivendosur lëvizjen, duke garantuar koordinimin e vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe sigurinë e qytetarëve.

Prefektura e Qarkut Shkodër ka kërkuar koordinim të menjëhershëm mes strukturave përgjegjëse për normalizimin e qarkullimit.

Në këtë kuadër, qytetarëve u është kërkuar që të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë. Për çdo emergjencë, banorët mund të kontaktojnë menjëherë Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencave.