Kryepolici Ilir Proda u zgjua më 2 janar dhe përgëzoi Policinë e Shkodrës për zbardhjen e vrasjes me lëndë eksplozive të komanduar në distancë të Hysni Imerit.
“Ky është një nga rastet ku pasqyrohet puna serioze dhe profesionale, e koordinuar dhe këmbëngulëse e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të plotë me organin e akuzës.
Këto rezultate dekurajojnë veprimtarinë kriminale dhe forcojnë më tej besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit”, tha Proda.
Është detyrë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë të inkurajojë strukturat apo t’i falënderojë kur zbardhin ngjarjet kriminale.
Por në rastin e Prodës ka një problem. Sepse kur flet për suksese, duhet të kesh kurajon të pranosh edhe dështimet.
Për atentatin në Rinas, ku u vra Gilmando Dani, krahu i djathtë i Shullazit, dhe Muci Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së, ngjarje që tronditi opinionin dhe cënoi rendin e sigurinë, kryepolici heshti. Edhe kur një zyrtar policie u pezullua për lidhje me Ergys Agasin, që drejtonte grupin kriminal të AKSHI-t, gjithashtu Proda heshti, nuk mbajti përgjegjësi.
Dhjetëra vrasje vijojnë të jenë pa autor, ai sërish hesht. Ndaj është më mirë të heshtë në çdo rast, sesa të kujtohet të flasë për sukseset imagjinare të policisë që drejton.







