Ballina Ekonomia Fundosja e monedhës europiane, BSH do të blejë këtë vit 100 milionë...

Fundosja e monedhës europiane, BSH do të blejë këtë vit 100 milionë euro më shumë

39
0

Teksa dobësimi i monedhës europiane euro ka patur vetëm rënie të lirë në tregun valutor shqiptar, Banka e Shqipërisë do të tërheqë më shumë valutë nga tregu gjatë këtij viti.

Sipas kalendarit të ndërhyrjeve në tregun valutor, në vitin 2026 parashikohet të blihen 330 deri në 450 milionë euro, gati 100 milionë euro më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Në total janë rreth 26 ankande të planifikuara për t’u zhvilluar, ku ndërhyrjet më të mëdha të Bankës Qendrore parashikohen gjatë verës, kur rriten edhe prurjet valutore në vend, për shkak të fluksit të turizmit.

Këto ndërhyrje në treg nga Banka e Shqipërisë bëhen kryesisht për efekt të rezervës valutore, por edhe për të mbajtur të stabilizuar kursin e këmbimit valutor.

Forcimi i lekut nga njëra anë dhe dobësimi i euros nga ana tjetër gjatë vitit që lamë pas është i lidhur edhe me prurjet valutore nga turizmi, që në 9 muaj arritën rreth 4.5 miliardë euro.

Sipas ekspertëve, një kurs i brishtë këmbimi i euros është në favor të borxhit të jashtëm të qeverisë, por edhe për mbajtjen nën kontroll të inflacionit nga Banka Qendrore, megjithatë sjell humbje të mëdha për bizneset eksportuese, të cilët shesin jashtë vendit në euro.

Aktualisht, 1 euro këmbehet në kufijtë e 95.6 lekëve në tregun e këmbimit valutor.