Klima parlamentare nuk është e duhura për reforma, këtë deklaron Oerd Bylykbashi, ku tregon arsyet se përse opozita nuk merr më pjesë në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Sipas tij mënyra e zgjedhjes së Avokatit të Popullit tregoi që mazhoranca nuk respekton asnjë kërkesë të opozitës.
“Nuk mund të jenë ishuj normaliteti këto dy reforma. Këto dy reforma kanë si parakusht vullnetin e mirë politik, për t’i bërë gjërat mirë dhe jo për t’ia hedhur njëra tjetrës. Janë gjëra që lënë gjurmë në një kohë të gjatë dhe lenë ose për mirë ose për keq”, tha Oerd Bylykbashi, nënkryetar i Partisë Demokratike.
Pavarësisht largimit nga tryeza, demokratët i kanë gati kërkesat e tyre nëse klima politike ndryshon dhe puna për Reformën Zgjedhore do të rinisë.
“Sigurisht që ka nevojë për ndryshime shumë të forta, edhe të karakterit penal për sa i përket fragmentimit të shtetit në zgjedhje dhe penalizimit të partonazhimit, ndoshta për një ngrirje për një periudhë kohe, që administrata të mos marrë pjesë në procese politike në asnjë lloj forme, gjatë dhe pas orarit të punës”.







