Njëzet e dy vjet pas finales së saj të parë në Melburn, tenistja Venus Williams kthehet në Australian Open dhe vendos një rekord. Amerikania mori një “wild card” (ftesë) në moshën 45- vjeçare, duke u bërë tenistja më e vjetër që merr pjesë në grand slam-in e parë sezonal. “Jam e emocionuar që jam kthyer në Australi dhe mezi pres të luaj turneun gjatë verës australiane. Kam kaq shumë kujtime të mrekullueshme atje dhe jam mirënjohëse për mundësinë për t’u kthyer në një vend që ka pasur kaq shumë rëndësi për mua“, tha Williams.
Ajo ka arritur në finalen e Melburn dy herë në karrierën e saj, në vitin 2003 dhe 2017. Me këtë pjesëmarrje, motra më e madhe Williams, thyen rekordin e mbajtur nga japonezja Kimiko Date, e cila ishte 44 vjeç kur humbi në raundin e parë në vitin 2015. Për t’u përgatitur për këtë grand slam, i cili fillon më 18 janar, Venus do të luajë në turneun e Auckland në Zelandën e Re, nga 5 deri më 11 janar.







