Këto valle kanë rrënjë të qarta historike dhe janë transmetuar brez pas brezi. Vallja e ngjalës ka lindur si ritual në një dasmë ilire, e kërcyer nga një familje peshkataresh në zonën e Arnisës. Sot ajo kërcehet gjerësisht në Divjakë, Karavasta, Remas, Këmishtaj, Mërtish, Krutje, Fier-Shegan etj.
Ajo është një formë e vallëzimit ritual që ruan në mënyrë të nënvetëdijshme kujtesën e riteve të lashta të ujit dhe pjellorisë, të cilat kanë karakter mitik dhe simbolik.
“Ajo është valle historike e ngelur në traditën tonë, është luajtur nga të parët tanë me çfarë kam dëgjuar unë, në Divjakë”, u shpreh Agron Sinani, koreograf.
Në këtë valle, arti i lëvizjes shndërrohet në gjuhë të natyrës, në një dialog të njeriut me ujin, tokën dhe krijesat e lagunës.
“Ka hyrë se tepërmi që thuhet se valle është humoristike, realisht ajo është rituale, pra gjurmë të saj i kemi edhe në folklor, një perlë do ta quaja”, u shpreh Niko Ferro, historian.
Vallja kërcehet zakonisht në grup prej 5 deri në 10 valltarësh, që rreshtohen në formë spiraleje ose harku. Lëvizjet janë të ngadalta, të përkulura dhe të valëzuara, me koordinim të vazhdueshëm trupor. Valltarët mbahen për duar ose për shpatulla, duke krijuar idenë e një trupi të vetëm që lëviz si një ngjalë në ujë. Të zbathur, valltarët mbajnë në duar rrjetën e peshkimit, fuzhnjën dhe koshin e ngjalave.
“Ka lindur në kohët e vjetra, mblidheshin fshatarët në një ditë pushimi dhe dilnin për peshk. Grumbulloheshin të gjithë atje, kalonin një pasdite të këndshme”, tha Novruz Xhaferri, përgjegjës i ansamblit “Vaçe Zela”.
Të gjitha lëvizjet koreografike imitojnë ngjalën. Janë të rrallë ata djem të rinj që kërcejnë vallen e ngjalës. Por, një djalë i ri i është bashkuar brezit të vjetër të ansamblit Fier-Shegan, që interpreton këtë valle të lashtë.
“Ne kur kërcejmë, kërcejmë për traditën, sepse më kujtohet edhe gjyshi im e kërcente. Kur e kërcej, më jep një ndjesi sikur po kënaq atë, ose sikur ma ka lënë nderin”, tha Gerald Kamxhiu, valltar.
Muzika e Valles së Ngjalës bazohet në melodi pentatonike me ritëm të ngadaltë, shoqëruar zakonisht nga fyelli, dajrja dhe surla. Ritmi është i lëkundshëm dhe hipnotik, duke ndërtuar një atmosferë që nxit përhumbjen dhe bashkimin me natyrën.
Kostumi tradicional që veshin burrat është jelekë dhe qillota të zeza e këmisha të bardha. Në të kaluarën, vallja interpretohej në festa pranverore, panaire peshkimi apo ceremoni bashkësie, si shenjë falënderimi ndaj natyrës.
Vallja e Ngjalës është një pasuri e rrallë e kulturës shpirtërore shqiptare, që mbart në vetvete një sintezë të traditës, mitit dhe ekologjisë.
Ajo është dëshmi e bashkëjetesës së njeriut me natyrën dhe një shprehje e unitetit të kulturës së Myzeqesë me elementët e lashtë ilirë.
Një tjetër valle e lashtë myzeqare është “Vallja Dyshe e Burrave”.
Pasqyrimi më i vjetër i kësaj valleje lidhet me një afresk të kishës së Shën Gjergjit në fshatin Libofshë.
Ky afresk është pikturuar nga vëllezërit piktorë Kostandin dhe Terpo Zografi në vitin 1782. Kjo dëshmi e pazëvendësueshme tregon, ndër të tjera, se vallja dyshe myzeqare ka ekzistuar dhe është ekzekutuar në shekullin XVIII; madje mund të supozojmë se ajo është parë nga piktorët e asaj kohe, të cilët e pikturuan dhe e lanë gjurmë për ne më pas. Ky rast tregon se vallja dyshe myzeqare ka një dëshmi shenjtërimi, duke u bërë e paprekshme dhe e pavdekshme brenda mureve të kishës.
Vallja dyshe myzeqare ka mbi 200 elemente kërcimi, ndaj ajo është e vështirë për t’u interpretuar menjëherë. Duhet shumë kohë dhe durim që të mësohet një valle e tillë.
Ajo ekzekutohet me një formacion orkestral popullor (saze), që përfshin klarinetën, llautën, violinën, fizarmonikën dhe defin. Megjithatë, mënyra specifike e rënies së defit me gishta (dhe jo me shkop) ruan karakteristikat ritmike që i ngjajnë daulles së dikurshme. Ajo është një valle që shpreh një emocion të fortë, ndaj kërkon seriozitet tepër të madh në ekzekutim.
Nën tingujt e një kabaje të shtruar të klarinetës dhe të goditjeve ritmike të defit, dy burrat valltarë nisin kërcimin. Për disa sekonda, valltari luan një dridhje të ëmbël të këmbës.
Vallja dyshe myzeqare është dypjesëshe. Ka brenda saj pjesën e parë të valles “të shtruarën” dhe pjesën e dytë “kthesën e valles”. Dysheja myzeqare mbështetet muzikalisht mbi një kaba popullore me klarinetë, e cila nuk luhet asnjëherë veçmas si një kaba më vete. Pjesa e parë e kësaj kabaje mbulon pjesën e shtruar të valles dhe ka një shtrirje të lirë muzikore, e cila nuk përcakton frazat koreografike të kësaj valle.
Pjesa e dytë e kësaj kabaje mbështet muzikalisht kthesën e valles dhe i përgjigjet në mënyrë të disiplinuar koordinimit të frazave muzikore dhe atyre koreografike. Defi mbulon aspektin ritmik të kabas në fjalë.
Këto dy valle të lashta myzeqare kërcehen prej 20 vitesh nga ansambli i Fier-Sheganit “Vaçe Zela”. Këta burra kanë marrë pjesë në 80 festivale. Aty ku kanë garuar, gjithmonë kanë marrë çmime nderi. Më i vjetri është 85 vjeç dhe tregon se vallet ia ka mësuar stërgjyshi i tij.
Vallja Dyshe Myzeqare shihet si një trashëgimi që ka udhëtuar nëpër shekuj, duke ruajtur, nën ndryshimet muzikore dhe formale (siç ishte zbutja e ritmit), thelbin e saj epik dhe natyrën e një valleje të lashtë luftarake arbërore. Ajo qëndron sot si një nga vallet më origjinale dhe të diskutuara të traditës myzeqare, e cila ka mbijetuar përmes transmetimit brez pas brezi.
Dëshmi e kërcimit të këtyre valleve është brezi i ri. Atyre u është mësuar çdo element i vjetër i traditës së krahinës myzeqare. Djemtë thonë se u është dashur një vit për të mësuar kërcimin e valles dyshe myzeqare.
Mbyllja e valles dyshe myzeqare është unike dhe e vetme në tipologjinë e valleve shqiptare e më gjerë. Ajo është e vetmja valle që mbyllet me dhënien e dorës dhe përqafim. Kjo tregon unitet shpirtëror dhe shpreh gjendjen e dashurisë së pastër njerëzore.
Për Bashkinë e Lushnjës ka ardhur momenti që kjo pasuri shpirtërore të futet si pjesë e listës së trashëgimisë kulturore jomateriale kombëtare. Për këtë qëllim është punuar dhe është grumbulluar gjithë dokumentacioni i duhur.
Për t’u shpallur pasuri kombëtare, këto valle do të duhet të plotësojnë disa kritere specifike, të cilat lidhen me vjetërsinë, identitetin dhe rëndësinë shoqërore.
Nga dëshmitë e deritanishme, vallja e ngjalës dhe dyshja myzeqare janë krijime që lindën organikisht brenda një komuniteti dhe janë luajtur tradicionalisht në festa të ndryshme.







