Ballina Opinion A do të kapet Edi Rama si Maduro?

A do të kapet Edi Rama si Maduro?

38
0

Nga Indrit Vokshi

Shqipëria është vend i NATO; siguria e informacioni monitorohen nga ShBA, sipas detyrimeve në traktate. SPAK dhe GJKKO, investohen nga ShBA, sipas detyrimeve me pakt. Kjo dmth se ska asnjë mundësi që kryeministri i Shqipërisë të arrestohet, të rrëmbehet apo të merret peng. Nëse ka shkelur interesat jetike amerikane, zëvëndësohet krejt lehtë. Amerika mban krahun e opozitës dhe ndodh ndryshim politik.

Deri më sot në 3 palë zgjedhje (2017, 2021, 2025), Amerika nuk e ka mbajtur krahun e opozitës. Si kur ka qenë president Trump, si kur ka qenë president Joe Biden. Asnjëherë Amerika ska qenë krahun e opozitës.

Përkundrazi, Shqipëria është rast unikal ku në vend që të ishte nongrata qeveria, është nongrata kryetari i opozitës. Nuk u bë nongrata si kryetar opozite por, populli opozitar, i shkuan pas dhe e bënë kryetar për ta mbrojtur sepse menduan se do ta arrestojnë si deputet të thjeshtë. E nuk deshën ta linin deputet të thjeshtë, deshën ta kishin kryetar opozite.

Vetë ky politikan, sot kryetar i opozitës, ka pranuar te Arian Çani se nongratan ia ka vendosur Mathew Palmer, i dërguar gjatë presidencës Trump I. Sot e kësaj dite as e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane Nensi Van Horni, nuk pranon ta takojë. Ka udhëzim nga shteti i saj që të mos e takojë.

Ky është rast unikal kur opozita mbahet nën sanksione, sepse vetë opozitarët kanë zgjedhur lider një person të cilin Amerika e ka sanksionuar dhe, këta i thonë Amerikës o do ta pranosh Sali Berishën, o ska. Pastaj, e sfidojnë Amerikën publikisht duke i thënë “Të blejmë me lek” dhe shkojnë lidhin kontratë 6 milion dollarë për lobim, duke dashur të poshtërojnë Amerikën publikisht, duke thënë se ia ndryshojmë vendimin me lek, e blejmë.

Amerikanët përmes SPAK e kanë goditur Ramën deri në fije të perit, deri aty ku nuk mban më. Mirëpo spo gjejnë një elitë tjetër për ta ndryshuar pushtetin në Shqipëri, sepse të quajturit opozitarë, u çuan e thanë, o Sali Berishën, o ska. Dhe amerikanët, sikurse edhe shqiptarët, skanë asnjë interes për të lejuar Sali Berishën në pushtet për herë të tretë. Prandaj, shqiptarët nuk i japin votën, amerikanët nuk i japin as dorën.

Shqipëria ka degraduar me opozitë reaksionare; opozitë reaksionare dmth, opozitë as mjaftueshëm e fortë për të fituar zgjedhjet, as mjaftueshëm e dobët për të lejuar opozitë tjetër të lindë.

Sot Donald Trump deklaroi se do të punojë me zëvëndësin e Maduros. Do të vazhdojë me partinë në pushtet sepse hë për hë, ska elitë tjetër politike të gatshme.

Në rastin e Shqipërisë, kryetari i opozitës, Sali Berisha, nuk ka elitë politike të aftë e të gatshme për ta marrë pushtetin. Në vend që të krijonte ekipe politike përfaqësuese e që votohen nga populli, e ka pasur më të nevojshme të krijojë një kazermë ushtarësh të cilët i binden.

Prandaj ngazëllimi se pas Maduros, Amerika do të rrëmbejë Edi Ramën, është thjesht ushqim për militantët e vet; gënjen të vetët, duke i krijuar përrallë. Nuk është hera e parë kjo; në vitin 2017 e gjithë PD u fut në psikozën se Donald Trump do të rrëzojë Edi Ramën sepse Rama e ka sharë publikisht në CNN. Jo vetëm që Trump nuk e rrëzoi por gjatë administratës Trump u krijuan SPAK e GJKKO, duke pasur si partner politik, Edi Ramën.

Kur nuk fiton dot zgjedhjet pasi e ke kthyer partinë në kazermë ushtarësh, bie në pozita qesharake dhe poshtëruese publikisht, deri në atë nivel poshtërimi sa kërkon që një shtet tjetër të rrëmbejë kryeministrin tënd.

Edi Rama ka merituar të rrëzohet qysh në vitin 2017. Kjo nuk ka ndodhur sepse opozita shqiptare ka qenë peng e një politikani të frikësuar nga humbja e rolit të tij; ka qenë peng e një modeli të rrëzuar me votë masive në 2013, model i cili, mendoi se mundej të kamuflohej nën emra të tjerë dhe t’i hidhte hi syve shqiptarëve, amerikanëve, europianëve.

Një vend si i yni, do të duhej ta ndryshonte pushtetin natyrshëm. Vokacioni opozitar në shoqëri ekziston sepse edhe në zgjedhjet e fundit, opozitarët ishin në shifrat 700 mijë njerëz. Thjesht skanë autoritet legjitim që t’i mbledhë.