Nga Luçiano Boçi
Në debatin publik po bëhet një përpjekje e qëllimshme për të banalizuar një zhvillim me peshë politike dhe historike. Arrestimi i Nicolas Maduros po paraqitet nga scribët e pushtetit si një akt simbolik ndaj një individi të shpallur non grata, ose si rezultat i interesave amerikane për naftën e Venezuelës.
Frika ka dhe këtë formë në fakt.
Të dyja këto shpjegime janë të rreme dhe njëherazi qesharake.
Dhe të dyja shërbejnë për të fshehur thelbin e arrestit që dhe vetë ata e dinë shumë mirë, që nuk po goditet një emër, po goditet një regjim.
Po të ishte thjesht çështje non grata, do të flisnim për izolim diplomatik, për sanksione personale, për kufizime udhëtimi dhe presion politik.
Jo për arrestim.
Non grata është mjet presioni, jo instrument për rrëzim sistemi. Regjimi do të vazhdonte të funksiononte, thjesht me një figurë tjetër në krye. Kjo nuk është ajo që po ndodh.
Po të ishte vetëm çështje nafte, historia do të kishte marrë një tjetër drejtim. Marrëveshjet energjetike zakonisht bëhen në heshtje, jo me pranga.
Bota ka bashkëjetuar për dekada me diktatorë dhe autokratë për hir të stabilitetit dhe interesave ekonomike. Nafta nuk kërkon përmbysje politike. Kërkon kontroll. Arrestimi i kreut të pushtetit është e kundërta e stabilitetit të kontrolluar.
Arrestimi i Maduros ka një kuptim më të thellë dhe më të rrezikshëm për regjimet autoritare.
Ai është sinjal se sistemi ka kaluar pragun e tolerancës. Regjimi venezuelian nuk është ndëshkuar, sepse është antipatik, por sepse ka shndërruar shtetin në aparat represioni, ka kapur drejtësinë, ka shkrirë kufijtë mes pushtetit politik, krimit dhe ekonomisë, dhe ka humbur çdo legjitimitet funksional.
Në këtë pikë, individi dhe sistemi bëhen i pandashëm. Goditja ndaj njërës është goditje ndaj tjetrës.
Ky është paralajmërimi që shumë përpiqen ta relativizojnë. Sepse pranimi i tij do të thoshte pranim se regjimet nuk rrëzohen kur ndërrojnë fytyra, por kur prishet zinxhiri i pandëshkueshmërisë.
Pikërisht për këtë arsye, rasti i Venezuelës duhet lexuar me kujdes edhe në Shqipëri.
Dhe këtu shteti është kapur. Narko-regjimi shqiptar është sundues. Zgjedhjet janë asgjësuar e korrupsioni është endemik, kurse bandat bëjnë ligjin, votat e paratë.
Sepse edhe këtu pushteti përpiqet të ndahet artificialisht në propagandë, nga sistemi që ka ndërtuar.
Shqiptarëve u thuhet se problemet janë “rreth” kryeministrit, se janë çështje individësh, ministrash, drejtorësh apo eksesesh të veçuara.
Dhe jo modeli i qeverisjes apo përgjegjësia në majë.
Sa herë goditet një hallkë e pushtetit, propaganda reagon njësoj: “presion amerikan”, “luftë personale”, “interesa të huaja”. Scribët nuk pranojnë se kapja është sistemike e se pushteti është ndërtuar mbi një arkitekturë pandëshkueshmërie.
Kjo logjikë nuk është rastësi. Është mekanizëm mbijetese.
Regjimet autoritare jetojnë duke normalizuar veten siç bën Rama e siç bënte Maduro.
Duke bindur publikun se gjithçka është rastësi, se gjithçka është lojë gjeopolitike, se asgjë nuk ka të bëjë me thelbin e pushtetit Ediotët e pushtetit nuk mbrojnë individë të caktuar.
Ata mbrojnë modelin që ka brenda Ramën.
Por historia politike është e qartë dhe arrestimi i Maduros, nuk është paralajmërim për një person.
Është paralajmërim për çdo regjim si ky i Ramës që e ka ndërtuar pushtetin mbi kapjen e institucioneve, propagandën dhe pandëshkueshmërinë, krimin, korrupsionin, grabitjen e zgjedhjeve.
Sot është Venezuela. Nesër mund të jetë çdo vend ku pushteti ka harruar se është i përkohshëm.
Shqipëria është në radhë zotërinj Ediotë të dobishëm!







