Rrugët në territorin e Qarkut të Shkodrës janë të gjitha të kalueshme, përfshirë akset ku ka pasur reshje dëbore Bogë-Theth, e Tamarë-Vermosh. Autoritetet apelojnë që drejtuesit e makinave të kenë goma dimërore nëse udhëtojnë drejt destinacioneve malore të përfshira nga dëbora.
Vetëm në rrugën e Prekalit dhe Kirit, ku pati shembje, grupet janë duke punuar në terren për të nxjerrë nga izolimi banorët, të cilët për të mbërritur në zonat urbane, duhet të përdorin rrugën alternative përmes Thethit.
Bashkitë e qarkut të Shkodrës karakterizohen nga reshje të shiut të shoqëruara me erë, dhe vetëm në disa fshatra të Malësisë së Madhe, Zagorë, Vrakë dhe Kelmend, ka probleme me furnizimin me energji elektrike, ku ekipet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.
Viti i Ri nisi me temperatura nën zero gradë dhe reshje dëbore, por tashmë vendi është përfshirë nga reshjet e shiut, të cilat pritet të jenë më intensive në orët në vijim e të zgjasin deri më 7 janar. Qarqet më të rrezikuara shfaqen Shkodra dhe Kukësi, por edhe në Vlorë, autoritetet apelojnë për kujdes gjatë të hënës më 5 janar, ku priten reshje të dendura shiu që mund të shkaktojnë përmbytje.
Ndërkohë në Tiranë, Elbasan, Korçë, Fier dhe Berat, sipas parashikimeve të Institutit të Gjeo-shkencave, do të ketë reshje mesatare.







