Policia ka dyshime të forta se Gerti Bushati, i cili vuri lëndën eksplozive në panelin elektrik në lagjen Manush Alimani në Shkodër, ku nga shpërthimi humbi jetën 67-vjeçari Hysni Ymeri, ka marrë si pagesë për këtë “shërbim” shumën prej 1 mijë eurosh.
“Kemi provuar se 3 të dyshuarit e tjerë i kanë dhënë shumën prej 1 mijë eurosh për vendosjen e tritolit dy ditë para se të ndodhte shpërthimi. Paratë iu gjetën dhe sekuestruan. Por ende nuk kemi zbuluar nëse i ishte premtuar ndonjë shumë tjetër”, tha një burim pranë hetimeve.
Paratë mësohet se i janë dhënë nga tre të dyshuarit e tjerë, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.
Pasi ka vënë eksplozivin, Bushati është larguar dhe ka hequr kominoshet dhe kapuçin që mbante mbi rrobat e tjera dhe i ka hedhur anë lumit. Një kamera sigurie e ka fokusuar dhe sapo është identifikuar është vëzhguar e më pas vënë në pranga. Nga hetimet rezulton se shpërthimin në distancë e ka kryer Edison Hasaj. Të 4 të dyshuarit ka dyshime se kanë vepruar kundrejt pagesës sepse s’kanë asnjë konflikt të drejtpërdrejtë me viktimën.
Shpërthimi në panelin elektrik të pallatit ndodhi më 29 dhjetor 2025, teksa Hysni Ymeri po futej në banesë. Ai humbi jetën në vendngjarje.
Nga zbërthimi i celularëve të të dyshuarve dhe përgjimet e realizuara në qelitë e izolimit janë provat më të forta kundër të dyshuarve. Ndërsa vijon të mbetet mister motivi i krimit.
4 të arrestuarit pritet të dalin të hënën përpara gjykatës së Shkodrës për t’u njohur me masën e sigurisë.







