Berlini hodhi poshtë të hënën komentet e ish-presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev, i cili ka deklaruar se udhëheqësi gjerman Friedrich Merz mund të rrëmbehet në një operacion të ngjashëm me kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, nga SHBA-të.
“Ne i dënojmë kërcënime të tilla me termat më të ashpra të mundshme“, tha zëvendëszëdhënësi i qeverisë Sebastian Hille në Berlin.
Qeveria nuk e sheh të nevojshme të rrisë sigurinë e Merz, tha zëdhënësi, duke shtuar se oficerët përgjegjës për mbajtjen e sigurisë së kancelarit, ishin “ndër më të mirët në botë”.
Medvedev tha të dielën se mund të parashikojë operacione rrëmbimi kundër udhëheqësve të tjerë botërorë të ngjashme me veprimin e SHBA-së në Venezuelë, duke përmendur kancelarin gjerman Friedrich Merz midis tyre.
“Rrëmbimi i neonazistit Merz mund të jetë një kthesë e shkëlqyer në këtë karnaval ngjarjesh”, citohet të ketë thënë Medvedev, i cili tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, nga agjencia shtetërore e lajmeve TASS.
Një skenar i tillë nuk ishte jorealist, shtoi ai.
“Madje ka baza për ta ndjekur penalisht atë në Gjermani, kështu që nuk do të ishte humbje, veçanërisht duke qenë se qytetarët po vuajnë pa nevojë”, tha Medvedev.
Medvedev, i cili shërbeu si president i Rusisë nga viti 2008 deri në vitin 2012, vitet e fundit është shfaqur si një nga mbështetësit më të zëshëm të linjës së ashpër të Kremlinit, duke kryer shpesh sulme retorike agresive kundër Ukrainës dhe Perëndimit.
Ai tha gjithashtu se pretendimet e administratës Trump se presidenti venezuelian Nicolás Maduro — i cili u arrestua në një operacion ushtarak amerikan gjatë fundjavës dhe u dërgua në Nju Jork — ishte i paligjshëm nuk i rezistuan shqyrtimit.



