Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj dhunës së ushtruar nga policia ndaj protestuesve paqësorë përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një akt të papranueshëm dhe në kundërshtim flagrant me standardet demokratike europiane.
Në një postim publik, Tabaku thekson se protesta është një e drejtë kushtetuese dhe jo një krim, ndërsa qytetarët që prej ditësh protestojnë paqësisht nuk kanë kërcënuar dhe as kanë dhunuar askënd, por kanë ushtruar një të drejtë themelore të garantuar nga Kushtetuta.
Sipas saj, reagimi i qeverisë me dhunë ndaj qytetarëve tregon frikë nga zëri i popullit dhe një keqpërdorim të forcës shtetërore për të heshtur protestën.
“Në Europë policia mbron protestën, nuk përdoret për të rrahur qytetarë paqësorë. Kjo që po ndodh nuk është standard europian,” nënvizon Tabaku.



