Ballina Ekonomia OST vijon investimet në 2026, tender për zgjerimin dhe modernizimin e nënstacionit...

OST vijon investimet në 2026, tender për zgjerimin dhe modernizimin e nënstacionit të Tiranës

44
0

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka shpallur hapjen e garës për zgjerimin e nënstacionit elektrik Tirana 1, një nga pikat më të rëndësishme të furnizimit me energji për kryeqytetin. Fondi limit i këtij projekti është rreth 293 milionë e 645 mijë lekë.

Projekti parashikon vendosjen e një transformatori të ri 220/20 kilovolt me kapacitet 63 MVA, si dhe ndërtimin e seksionit të tretë 20 kV. Ky investim synon rritjen e sigurisë dhe kapaciteteve të furnizimit me energji elektrike për zonën e Tiranës.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, në kuadër të punimeve do të shemben disa godina ekzistuese brenda nënstacionit, të cilat aktualisht shërbejnë për magazinim dhe trajtim teknik. Në vend të tyre do të ndërtohet një godinë e re dykatëshe, ku do të vendoset seksioni i ri 20 kV, si dhe hapësira për shërbime dhe magazinim.

Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e bazamentit të transformatorit të ri, zgjerimin e linjave elektrike 220 kV dhe realizimin e lidhjeve të reja me kabllo, që do të mundësojnë funksionimin normal të pajisjeve të reja. Do të ndërtohen kanale të posaçme për kalimin e kabllove të energjisë dhe kontrollit, si dhe do të zhvendosen disa lidhje ekzistuese për t’iu përshtatur konfigurimit të ri të nënstacionit.

Një pjesë e rëndësishme e projektit është edhe modernizimi i sistemit të komandimit dhe monitorimit. Pajisjet e reja do të integrohen në sistemin SCADA, i cili lejon kontrollin dhe monitorimin në kohë reale të nënstacionit.

Punimet përfshijnë edhe ndërtimin e rrugëve të brendshme të aksesit brenda nënstacionit, për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve dhe transportin e pajisjeve të rënda gjatë mirëmbajtjes dhe ndërhyrjeve teknike.

Sipas dokumentit, OST synon të përmirësojë qëndrueshmërinë dhe sigurinë e rrjetit elektrik në zonën e Tiranës, duke garantuar furnizim më të sigurt për konsumatorët.