Kryeministri britanik Keir Starmer tha se ai qëndron përkrah Danimarkës në mbrojtjen e Groenlandës, duke theksuar se askush tjetër nuk mund të përcaktojë të ardhmen e ishullit, duke iu përgjigjur Donald Trump i cili thotë se i duhet për qëllime mbrojtjeje .
“Groenlanda dhe Mbretëria e Danimarkës duhet të përcaktojnë të ardhmen e Groenlandës dhe askush tjetër”, u tha kryeministri britanik gazetarëve.
Keir Starmer, u pyet gjithashtu për Venezuelën dhe tha se tani i takon SHBA-së të justifikojë veprimet e saj dhe që Britania t’i gjykojë shtetet e tjera bazuar në të drejtën ndërkombëtare.
Duke deklaruar se situata nuk ishte e thjeshtë, ai tha:
“Ajo që na duhet në Venezuelë është një tranzicion paqësor demokratik. Ky ishte qëndrimi ynë para fundjavës, ky mbetet qëndrimi ynë”.
“E drejta ndërkombëtare është korniza, është spiranca ose masa me të cilën ne gjykojmë veprimet e të gjitha qeverive të tjera. Dhe sigurisht që i takon SHBA-së të justifikojë veprimin që ndërmori. Nuk është e thjeshtë. Është e ndërlikuar dhe, edhe sot, ka zhvillime të mëtejshme”, shtoi ai.
Kryeministri britanik deklaroi të shtunën se nuk pendohej që Maduro nuk ishte më president i Venezuelës, por se donte që kjo të çonte në një qeveri më demokratike.







