Administrata Tatimore informon të gjithë tatimpaguesit se duke filluar nga 1 janari 2026, procedura për zbatimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të Dyfishtë do të kryhet ekskluzivisht online, përmes platformës digjitale të Administratës Tatimore.
Tatimpaguesit duhet të plotësojnë formularin elektronik përkatës dhe të ngarkojnë dokumentacionin shoqërues, sipas kriterëve, procedurave dhe afateve të përcaktuara në legjislacionin tatimor dhe aktet nënligjore përkatëse. Ngarkimi elektronik i dokumentacionit duhet të bëhet brenda afateve ligjore, për të përfituar lehtësitë tatimore që rrjedhin nga zbatimi i marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë.
Në rastet kur sistemi digjital nuk mundëson përkohësisht ngarkimin elektronik të dokumentacionit ose paraqiten probleme teknike të verifikuara, tatimpaguesit kanë të drejtë të dorëzojnë dokumentacionin në formë fizike pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke shpjeguar arsyen e pamundësisë së dorëzimit elektronik.
Administrata Tatimore fton tatimpaguesit të informohen paraprakisht mbi mënyrën e përdorimit të platformës dhe dokumentacionin e nevojshëm, duke përdorur udhëzuesin zyrtar të publikuar në faqen e YouTube të Administratës Tatimore.
Kuptimi i taksimit të dyfishtë
Tatimi mbi të ardhurat zbatohet si për individët rezidentë edhe ato jorezidentë.
Individët rezidentë i nënshtrohen detyrimit për tatimin mbi të ardhurat personale gjatë periudhës tatimore, për të gjitha burimet e të ardhurave të realizuara në shkallë botërore, pra në Shqipëri dhe kudo gjetkë, (parimi i rezidencës),
Kur një individ rezident, siguron nga burime jashtë territorit shqiptar të ardhura, tatimi mbi të ardhurat personale, i pagueshëm nga ai rezident, lidhur me këto të ardhura, reduktohet(kreditohet) me atë masë të tatimit të huaj të paguar mbi ato të ardhura. Masa e tatimit të huaj të pagueshëm duhet të vërtetohet me dokument autentik.
Reduktimi i tatimit mbi të ardhurat personale nuk duhet të kalojë tatimin e pagueshëm mbi të ardhurat nga burimi i huaj, në rast se këto të ardhura realizohen në Republikën e Shqipërisë.
Reduktimi i tatimit, llogaritet në mënyrë të veçantë, lidhur me çdo vend të huaj, nga i cili janë përfituar të ardhurat.
Individët jorezidentë i nënshtrohen detyrimit për tatimin mbi të ardhurat personale gjatë periudhës tatimore, për burimet e të ardhurave, të realizuara në teritorin e Republikës së Shqipërisë, (parimi i burimit).
Taksimi i të ardhurave të rezidentëve të përfituara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Nëse je rezident por përfiton të ardhura me burim jashtë Republikës së Shqipërisë do të paguani tatimin në Republikën e Shqipërisë, për të ardhurat mbarëbotërore të realizuara bazuar në dispozitat e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar.
Nëse përfitoni të ardhura pasive (dividentë, interesat, honorare) jashtë Republikës së Shqipërisë dhe përfitoni nga marrëveshjet tatimore në fuqi, masa e tatimit të paguar jashtë do të jete ajo e përcaktuar në marrëveshjen tatimore.
Masa e tatimit të huaj, e vërtetuar më dokumentin përkatës, do të zbritet nga tatimi i pagueshëm në Shqipëri, në përputhje me dispoziat ligjore në fuqi.
Eleminimi i tatimit të dyfishtë për rezidentët
Nëse je rezident dhe përfiton të ardhura jashtë Republikës së Shqipërisë duhet të pajiseni me Vërtetimin e Rezidencës (Çertifikata e Rezidencës), të lëshuar nga Administrata Tatimore Shqiptare.
Vërtëtimi i rezidencës i shërben tatimpaguesit për të vërtëtuar se paguan tatimet për të ardhurat globale në Shqipëri, në mënyrë që organi tatimor i shtetit të huaj ku ai ka realizuar të ardhurat të bëjë aplikimin e Marrëveshjes , duke aplikuar, sipas rastit, tarifën e reduktuar ose duke mos i tatuar ato të ardhura.



