Ballina Kronika U përplas nga një makinë, ndahet nga jeta ish-futbollisti legjendë i Flamurtarit

U përplas nga një makinë, ndahet nga jeta ish-futbollisti legjendë i Flamurtarit

82
0

Ka ndërruar jetë këtë të diel Pandeli Opingari, një nga figurat më të respektuara të sportit vlonjat dhe ish-lojtar i Flamurtarit, pas plagëve të marra në një aksident rrugor dy ditë më parë, teksa po kalonte rrugën në vijat e bardha në qytetin e Vlorës.

Ngjarja u shënua më 2 janar në rrugën “Demokracia”, ku 96-vjeçari u godit nga një automjet tip “Audi”, i drejtuar nga një 22-vjeçar me inicialet O.A. Opingari u dërgua menjëherë në spital dhe mbeti për disa orë nën kujdes intensiv, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti të mbijetojë.

Policia arrestoi drejtuesin e mjetit dhe ka nisur procedurat ligjore për aksidentin, i cili ndodhi në momentin që i moshuari po kalonte në këmbë.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Pandeli Opingarit, i njohur nga sportistët dhe miqtë edhe si “profesor Pompi”, ka sjellë dhimbje të madhe në Vlorë. Ai ka qenë pjesë e Flamurtarit në vitet ’60–’70, mësues i edukimit fizik, trajner dhe një emër i çmuar i komunitetit sportiv e qytetar.

Një jetë e tërë e lidhur me sportin dhe edukimin e brezave të rinj u mbyll tragjikisht për shkak të një aksidenti rrugor.