Ballina Opinion Arrestimi i Maduros dhe pasqyra shqiptare: Kur sovraniteti bie nën peshën e...

Arrestimi i Maduros dhe pasqyra shqiptare: Kur sovraniteti bie nën peshën e narko-shtetit

0
28

Nga Sidi Hasanaj

Arrestimi i Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara ka ndezur një debat global mbi ligjin ndërkombëtar, sovranitetin shtetëror dhe legjitimitetin e ndërhyrjes amerikane. Debat që, si gjithmonë, mbërriti me shpejtësi edhe në Shqipëri, si gjihjnjë i reduktuar në krahasime banale dhe retorikë partiake foshnjore.

Por përtej etiketimit banal dhe sherrit fëmijëror se kush është “Maduro i Shqipërisë” , RamaDuro apo Nongrata Berisha, ekziston një analizë shumë më serioze që duhet bërë.
Sepse megjithëse Shqipëria dhe Venezuela janë vende thellësisht të ndryshme në gjeografi, madhësi dhe burime natyrore, janë vende në dy anë të kundërta të globit, ngjashmëritë strukturore në funksionimin e pushtetit janë reale dhe shqetësuese.

Paradoksi venezuelian: pasuri ekstreme, varfëri totale

Venezuela është një nga vendet më të pasura në botë për nga burimet natyrore. Ajo ka rezervat më të mëdha të naftës në planet, ka rezerva floriri dhe mineralesh strategjike që tejkalojnë shumë kontinente të tëra.

Dhe megjithatë:
– paga minimale rreth 3 dollarë në muaj,
– mbi 80% e popullsisë në varfëri ekstreme,
– 70% e prodhimit të naftës i kolapsuar,
– 26% e popullsisë e detyruar të emigrojë,
– inflacioni ka arritur nivele absurde, deri në miliona përqind,
– 70% e GDP-së së saj është rrënuar.

Ky mjerim jo vetëm që nuk është aksident ekonomik, por është produkt politik. Atje është aplikuar socializmi si mekanizëm kriminal pushteti dhe si dështim ekonomik.

Dikur Venezuela ka qenë vendi më i pasur për frymë në Amerikën Latine, por që prej vitit 1998, me ardhjen e Hugo Chávez në pushtet dhe më pas Nicolás Maduro, në Venezuelë u instalua një regjim që shkatërroi ndarjen e pushteteve dhe ndërtoi një shtet paralel kriminal.

Së pari u sulmua fort nga presidenti dhe politika, pushteti i drejtësisë. Chávez uzurpoi dhe nënshtronte drejtësinë, gjykatat dhe institucionet.

Së dyti, ushtria u dyzua me një ushtri tjetër informale: Karteli i Diellit, një strukturë e trafikut të drogës e lidhur drejtpërdrejt me pushtetin politik të Presidentit, e ndërtuar sipas manualit kubanez të mbijetesës së regjimeve autoritare.

Kur në vitin 2002 një segment i ushtrisë u rrebelua nga diktati korruptiv dhe arrestoi Chávez gjatë një tentative për grusht shteti, mbrojtja që e riktheu në pushtet ishin forcat e armatosura të karteleve të drogës dhe presioni i jashtëm i Kubës. Pra, ushtria e diktaturës , kartelet mundën ushtrinë e shtetit dhe diktatura socialiate u rikthye.

Sot rreth 20% e drogës që hyn në SHBA kalon nga Venezuela. Ky trafik miliarda dollarësh kontribuon në një treg që vret rreth 300 mijë njerëz çdo vit.

Për këtë arsye, administrata Trump e klasifikoi regjimin venezuelian si “narko-terrorist” – një term politikisht i ashpër, por analitikisht i saktë.

Regjimi i Maduros është nyje strategjike për Rusinë, Iranin, Kinën dhe Hezbollahun. Tashmë ka prova për fabrika dronësh ushtarakë për Hezbollahun të ndërtuara në territoret e Venezuelës nga kartelet. Është dokumentuar furnizimi i Iranit me uranium nga regjimi i Maduros.

Është konstatuar prania e forcave Wagner dhe njësive speciale ushtarake kineze, të cilat e mbanin Maduron në pushtet dhe përdorin migracionin ilegal nga Venezuela drejt Meksikës si kanal infiltrimi për të futur elementë terrorizmi në SHBA.

Kjo e ka kthyer Venezuelën në kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë amerikane, jo thjesht në një problem sovran.

Po ku hyn Shqipëria në këtë pasqyrë?

Shqipëria nuk është Venezuela.
Por Shqipëria ka problemin themelor të njëjtë: Shkatërrimin e ndarjes së pushteteve.

Për 33 vite, politika ka qenë pushteti absolut, ndërsa drejtësia instrument i saj. Paratë e trafikut të drogës kanë deformuar ekonominë, kanë blerë media, kanë ndikuar zgjedhjet, veçanërisht ato të 2017-ës dhe 2021-shit dhe kanë kufizuar realisht lirinë e qytetarëve, lirinë ekonomike me paratë e pista dhe lirinë politike me ndërhyrjen në zgjedhje.

Ashtu si kartelet në Venezuelë, krimi i organizuar në Shqipëri ka vepruar si shtet paralel. Ashtu si Maduro i dha pasuritë kombëtare Kinës dhe Rusisë, edhe në Shqipëri për dekada nafta, gazi dhe asetet strategjike janë shfrytëzuar nga oligarkë të lidhur edhe me interesa ruse, si rasti i Deripaskës.

Ashtu si Maduro dhe estabilishmenti i tij kanë miliarda dollarë pasuri në bankat perëndimire, ashtu po ju gjehen miliona pasuri dhe ministrave dhe politikanëve Shqiptarë.

Por mes Shqipërisë dhe Venezuelës ekziston një dallim thelbësor: Arma amerikane në Shqipëri quhet drejtësi.

Në Shqipëri, SHBA nuk vepron me ushtri. Arma amerikane këtu quhet SPAK dhe GJKKO. Është një betejë e hapur mes drejtësisë së re, të arkitekturuar me mbështetje amerikane, dhe klasës politike të vjetër që po përpiqet të mbijetojë.

Ndryshe nga Venezuela, ku SHBA mbron lideren e opozitës duke e strehuar dhe përkrahur publikisht, në Shqipëri lideri i opozitës është shpallur non grata nga SHBA dhe është marrë i pandehur nga SPAK.

Sot SPAK ngriti akuza të reja ndaj Sali Berishës, tashmë edhe për detyrën e tij si president. Ata që propagandonin se SPAK ishte “SKAP i partisë” dhe më pas “SPAK kundër regjimit” me ndërhyrje imagjinare lobistësh, sot duhet të heshtin.

Sot SPAK, nën vazhdimësinë institucionale të arkitekturës amerikane të drejtësisë, i dha një shuplakë tjetër Sali Berishës.
Ata që thojnë se LaCivita ktheu SPAK-un nga Skapi i partisë në Armë të Berishës, duhet të heshtin turpërisht!

Dhe nëse dikush dëshiron që Rama të shndërrohet plotësisht në një RaMaduro, atëherë opozita shqiptare ka nevojë për gjithçka përveç një lideri non grata, në konflikt me SHBA dhe i pandehur për korrupsion.

Ligji ndërkombëtar ekziston për të mos zëvendësuar padrejtësitë me padrejtësi të tjera. Por rasti i Venezuelës nuk është ndërhyrje ndaj një shteti sovran: është ndërhyrje ndaj një karteli narko-terrorist që kishte uzurpuar shtetin dhe po sulmonte drejtpërdrejt SHBA përmes drogës dhe terrorizmit.

Ligji ndërkombëtar vlen për Shqipërinë. Vend i NATO-s, ku ndërhyrja amerikane nuk mund dhe nuk duhet të jetë ushtarake. Ushtria amerikane këtu ka emër tjetër: SPAK dhe GJKKO.

Por në Shqipëri Maduro shfaqet fortë i mishëruar te Edi Rama, por pjesë integrale e tij paradoksalisht është dhe Berisha.

Regjimi i Edi Ramës do të bjerë nga arma amerikane, SPAK, por me të do bjerë dhe uzurpimi që Berisha i ka bërë PD.