Ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari ka kritikuar ditën e djeshme mungesën e reagimit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, lidhur me arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, në një operacion të SHBA-së.
Në një reagim publik, Meçollari krahason qëndrimin e institucioneve shqiptare me atë të Kosovës, ku Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti u shprehën hapur në mbështetje të Shteteve të Bashkuara, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, heshtja lidhet me ndikimin e Kryeministrit Edi Rama mbi Kreun e Shtetit.
“Një President që nuk e di se kë përfaqëson. Aleanca e Shqipërisë me SHBA bazohet në interesa të përbashkëta dhe jo në interpretime të njëjta të së drejtës ndërkombëtare. Arrestimi i Maduros nëpërmjet një operacioni ushtarak amerikan në Karakas ka ngritur një debat mbi legjitimitetin e operacionit, jashtë dhe brenda SHBA. Shumë lider botëror kanë patur qëndrime të ndryshme. Pa asnjë dyshim qëndrimet e tyre kanë qenë politike, sepse vetë politika e jashtme drejtohet nga interesat kombëtare. Kur SHBA mbështesin Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët ky është një qëndrim politik.
Ashtu sikurse vendimi për çlirimin e Kosovës, mbi 25 vjet më parë, nga SHBA dhe NATO ishte një vendim politik. Në Kosovë si Presidentja Vjosa Osmani edhe Kryeministri Albin Kurti e bënë këtë. U deklaruan në emër të popullit të Kosovës në mbështetje të SHBA. Po përse Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk është në gjendje të artikulojë një qëndrim politik për këtë veprim të SHBA? Sepse ai nuk do të deklarohet në mbështetje të veprimit ushtarak të SHBA në Venezuelë dhe arrestimit të Maduros. Sepse ai nuk mund të bej ndryshe nga eprori i tij Edi Rama, i cili po ashtu ende nuk ka bërë një deklaratë për rastin Maduro”, shkruan Meçollari.







