Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar pamje alarmante nga Durrësi, ku reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje të rënda në zona të banuara dhe akse kryesore rrugore.
Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, shihen rrugë tërësisht të mbuluara nga uji, automjete të bllokuara dhe qytetarë të detyruar të lëvizin në kushte të vështira.
Duke iu referuar situatës, Berisha shkruan: “Durrësi i Betonit apo Gjushit dhe Ramaduros!”, duke e cilësuar gjendjen si pasojë të drejtpërdrejtë të betonizimit pa kriter dhe keqmenaxhimit të qytetit.
Sipas Berishës, përmbytjet janë rezultat i politikave të dështuara urbanistike dhe mungesës së investimeve në infrastrukturë dhe sistemin e kanalizimeve, përgjegjësi që i atribuohen qeverisë dhe pushtetit lokal. Pamjet dëshmojnë edhe një herë se çdo episod reshjesh e kthen Durrësin në emergjencë, ndërsa qytetarët përballen me pasoja të përsëritura nga neglizhenca institucionale.
Situata në qytetin bregdetar rikthen në vëmendje nevojën urgjente për ndërhyrje serioze dhe fundin e politikave të betonizimit që po e bëjnë Durrësin të vështirë për t’u banuar nga qytetarët e tij.



