Ballina Dossier Internimi si mjet kontrolli: Dokumenti sekret i vitit 1963 drejtuar Hysni Kapos...

Internimi si mjet kontrolli: Dokumenti sekret i vitit 1963 drejtuar Hysni Kapos zbulon se si familjet e internuara u trajtuan si “kontigjent pune” në Lushnjë

0
42

VNA sjell këtë herë dokumentin sekret të vitit 1963, në të cilin një raport nga rrethi i Lushnjës i drejtohet Hysni Kapos, duke sinjalizuar problemet e shkaktuara nga internimi në masë i familjeve në këtë zonë. Internimi, i menduar si instrument kontrolli dhe shfrytëzimi i fuqisë punëtore, po mbushte kooperativat bujqësore me njerëz që nuk mund të punonin. Dokumenti e trajton popullsinë e internuar si kontigjent pune. Në dokument vihej në diskutim internimi si masë politike, por evidentoheshin problemet që lindnin nga zbatimi i tij në praktikë në Lushnjë, kryesisht në kooperativat bujqësore.

Ky raport përbën një dëshmi historike se si shteti komunist i trajtonte njerëzit si objekte për t’u shfrytëzuar për punë. Në raport, të internuarit trajtoheshin si kontigjente pune. Familjet vlerësoheshin vetëm sipas numrit të krahëve të aftë për punë dhe aftësisë për të përmbushur normat e kooperativave bujqësore. Ndërsa borxhet për bukë, kequshqyerja dhe paaftësia për të përmbushur normat e caktuara nga kooperativat paraqiteshin thjesht si pengesa administrative, dhe aspak si tragjedi njerëzore, të shkaktuara nga internimi i familjeve të tëra fshatrave të Lushnjës.

Edhe të sëmurët mendorë dhe invalidët përfshiheshin në regjimin e internimit, ndonëse nuk paraqisnin rrezik politik. Problemi për administratën shtetërore nuk ishte internimi i tyre, por fakti se ata nuk ishin fuqi pune e shfrytëzueshme. Pra, të pavlerë për sistemin.

Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë në Lushnjë i kërkon si rrjedhim Komitetit Qendror të PPSH-së në Tiranë racionalizimin e internimeve, duke çuar në Lushnjë kryesisht familje me fuqi punëtore aktive, pra jo familje me fëmijë të vegjël apo familjarë të paaftë për punë. Në këtë raport shfaqet shteti i diktaturës që kërkon disiplinë dhe prodhim, që menaxhon popullsinë sipas funksionit të aftësisë për punë. Internimi shfaqet kështu si teknologji pushteti që prodhon kontroll dhe shfrytëzim të njeriut për punë.

Teksti i dokumentit arkivor:

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI I P. P. RRETHIT
Nr. 22

Lushnje, më 9/I/1963
SEKRET
Eks. Nr. 1

KOMITETIT QËNDOR TË P. P. SHQIPËRISË
Shokut: Hysni Kapo
T I R A N Ë

Ju njoftojmë se herë pas here, kontigjente të internuarish vijnë në rrethin tonë nga zona kufitare e atdheut. Mirëpo në mjaft raste ne po konstatojmë se zgjedhja e elementit për internim nuk bëhet në bazë të rrezikshmërisë që ata paraqesin dhe për pasojë na duket pa drejtë që të rritet numri i të internuarve në këtë rreth, gjë që na dëmton politikisht dhe ekonomikisht. Ka disa nga disa rrethe dhe veçanërisht nga rrethi i Shkodrës dhe i Korçës, Degët e Punëve të Brendshme kanë internuar për në Lushnje persona që nuk kanë asnjë rrezikshmëri politike dhe që na kanë vënë në vështirësi lidhur me trajtimin e tyre ekonomik.

Po ju përmendim disa shembuj nga rrethi i Shkodrës: janë internuar 7 familje me 54 frymë. Këta janë vendosur në kooperativën bujqësore të Kryekuqit. Familjet e fjalës, sipas të dhënave, janë internuar sepse kanë strehuar për disa ditë të arratisurin Hamit Bajram Lisaj, i cili kishte bërë një krim për çështje ordinere dhe që më vonë u kap e u dënua nga organet tona. Këto familje nga hetimet e bëra kanë mbajtur qëndrim të mirë politik, përfshirë qëndrimin ndaj pushtetit dhe shtetit. Shumica e njerëzve të këtyre familjeve janë në moshë të thyer ose fëmijë, kështu që, mos pasur krah pune për të punuar, vuajnë shumë keq edhe për bukën e gojës. Fëmijët e tyre janë të sëmurë rëndë, janë ankuar dhe përmendur nga mungesa e ushqimeve. Ata plotësojnë vetëm me lëmoshat e fshatarëve. Tipik është rasti i familjes së Hasan Vulës, që përbëhet prej 11 personash, në të cilën janë të mitur dhe pleq dhe vetëm një djalë 14 vjeç është krah pune. Kjo familje deri më sot është debitore karshi arkës së kooperativës rreth 20.000 lekë vetëm për bukë. Kooperativa mendon t’ua presë bukën, gjë që e bën edhe më të rëndë gjendjen e tyre.

Ne mendojmë se personat e mësipërm nuk do të bënin ndonjë dëm edhe sikur të mos ishin shpërngulur nga fshati i tyre, të paktën aty kishin shtëpitë e tyre dhe me atë pak bagëti e tokë të tyre do të mund të ushqeheshin.

Ka mjaft raste të tjera që janë prurë në Lushnje të internuar nga rrethe të tjera, me të meta mendore e fizike, njerëz pa asnjë rrezikshmëri, gjë që shton në këtë rreth numrin e të internuarve. Kështu janë internuar nga rrethi i Korçës Ali Ogrenj nga katundi Floq, element me sëmundje të rëndë nervore, skizofreni me gradë të fundit, i cili që prej një viti qëndron i shtruar në spitalin neuro-psikiatrik të Vlorës. Po kështu Zihni Çeliku, internuar së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes së tij, element invalid me gjendje të rëndë për sy, pa vesh e pa duar, i plagosur aksidentalisht nga një bombë dore.

Nga rrethi i Shkodrës është internuar Rexhina Çuka me pjesëtarët e familjes së saj, e cila vuan prej kohësh nga skizofrenia e rëndë. Si raste të mësipërme ka plot nga këta të sëmurë të dërguar që janë futur në kontigjentet e të internuarve për “rrezikshmëri politike”.

Gjithashtu ka mjaft raste që nga shpejtësia e bërë e internimit, personat e internuar nuk marrin me vete as gjërat e nevojshme për jetesë dhe kështu, duke u sjellë me urgjencë, na kanë vënë në vështirësi serioze për sistemimin e tyre.

Ne mendojmë se ky problem është serioz dhe në radhë të parë politik, prandaj kërkojmë nga Aparati i K.Q. të ndërhyjë pranë rretheve kufitare që të bëjnë një studim shumë të kujdesshëm dhe të hollësishëm kur është rasti për të dërguar apo internuar. Gjithashtu, të na jepet mundësia që të dërgohet nga Ministria e Brendshme një komision për rishqyrtimin e të internuarve që gjenden sot në rrethin tonë dhe ata persona që nuk paraqesin rrezikshmëri politike, që janë me të meta të rënda mendore e fizike, të sëmurë, të kaluar nga mosha aktive, t’u jepet mundësia e sistemimit pranë fshatrave nga kanë ardhur ose pranë të afërmve të tyre.

SEKRETARI I PARË I K. P. RRETHIT
(Qazim Myrseli)

Internimi si mjet kontrolli: Dokumenti sekret i vitit 1963 drejtuar Hysni Kapos

Internimi si mjet kontrolli: Dokumenti sekret i vitit 1963 drejtuar Hysni Kapos