Nga Pëllumb Verka
Viti 1973. Koha kur marrëdhëniet me Kinën kishin filluar të kriseshin. Porosia nga “lart” ishte që mjetet luftarake të mirëmbaheshin në maksimum, pasi të reja nuk vinin më nga Kina, po ashtu as pjesë këmbimi. Ç’është e vërteta mjetet e blinduara që kishin ardhur nga Kina, flas për tanket, gati njëmijë e njëqind copë, shoqëroheshin gjithmonë me pjesë këmbimi të futura nëpër arka speciale e të ambalazhuara perfekt. Vetëm aroma e drurit të arkës kur hapej kapaku ishte tejet e veçantë dhe e këndshme. Vetëm kishte një problem, se ne ishim shumë “vandalë” lidhur me këto pjesë ashtu siç ishim ndaj pothuaj të gjithë makinerive që mbërrinin në Shqipëri. Në to kishte edhe paisje plotësuese si thika, kuti transmetimi me butona, (butonat i merrnin) se duheshin për t’i venë te dera e apartamentit për…zile! Pale picat e kaçavidat që nuk arrinin të “binin në tokë”!
Magazinat ishin kthyer origjinal siç ndodhi në 1997, arka kudo, të shkyera e të grabitura, shpëtonin vetëm shlemafonët pa u vjedhur sepse ishin specifik vetëm për tanket. Një krahasim: Kur erdhën vagonat e parë të trenave nga Kina, me ngjyrë bojë qielli, me veshje lëkure, “igelit”, të verdha apo jeshile, në tavan secili vagon kishte dhjetë apo dymbëdhjetë ventilatorë rrotullues. Brenda një muaji u xhveshën të gjithë nga grabitësit, të cilët harronin, si injorantë që ishin, se ato punonin me dymbëdhjetë volt dhe hajduti nuk kishte ku e gjente transformatorin. Po ashtu edhe sedilet çaheshin me thikë e u nxirrej sfungjeri përjashtë dhe e mbyllim këtë krahasim me rrugaçët e vegjël të fshatrave të cilët nuk lanë xham vagoni pa thyer me gurë!
NGJARJA E PARË
Nejse, kalojmë në temë. Tanket strehoheshin (marr si shembull repartin në Zall-Herr), nëpër tunele të hapura në faqe të malit. Këto tunele në fund lidheshin me një tunel vertikal që quhej “oxhak”. Kur ndizej një tank brenda tunelit, tymi dilte jashtë vetëm nëpërmjet këtij “oxhaku”. Pororsia e dhënë më lart për mirëmbajtjen zbatohej me rigorozitet apsolut. Them apsolut sepse pastrohej çdo gjë jashtë e brenda tankut. Motori i cili qëndrontë mbi katër gomina nën të, dmth. në dyshemenë poshtë tij nuk duhej të kishte asnjë gram dhe! Kjo çuditi edhe vet delegacionin ushtarak kinez kur erdhi në Shqipëri për vizitë.
Delegacioni kinez shoqërohej nga eksperti teknik i caktuar nga pala shqiptare, Filip Marku.
-Po gomat e rrotave, pyeti kinezi, me çfarë boje i lyeni?
-Nuk i lyejmë me bojë- iu përgjigj Filipi. Kemi një shpikje tonën. Marrim copa gomash të rrotave të dëmtuara, i djegim derisa të bëhen pluhur, pastaj pluhurin e përziejmë me benzinë dhe del një “mishelë” ngjitëse me të cilën i lyejmë gomat.
Gjitha kjo punë e ndotje për vetëm disa kilogram bojë të zezë- vazhdoi kinezi!
-Për kursim- ia preu Filipi. Kinezi kapsalliti sytë dhe nuk foli më!
Ne, vazhdoi Filipi me mburrje – edhe naftën kur zhvillojmë paradat ushtarake e marrim nga Rumania, të pastër që të mos “ngecen” tanket gjatë marshimit të paradës. Kështu, kinezët që shquheshin për disiplinë e rregull në çdo sektor të jetës, u “pataksën” kur shihnin çudirat shqiptare deri në ekstrem. Aty nga dhjetori, unë dhe një miku im i shkëlqyer, Foto Argjiri, nga Gjirokastra, ishim të dy në shërbim, kishim improvizuar një sobë druri në mes të dhomës dhe kishim venë disa feta bukë për t’i thekur. Muhabeti na ecte se ishim pothuajse nga një anë, ai gjirokastrit dhe unë tepelenas. Fotua ishte një djalë xhevair, jetim, e donin të gjithë personeli i repartit. Pas një jave (të shtunave) ishte taksative që do zhvillohej patjetër shërbimi teknik i tankeve në tunel. Për saktësim, edhe pse rrotat e tankut ishin të lyera, do lyheshin prap, edhe pse ambienti në tunel ishte “qelibar” sepse gjatë javës tanket “flinin”! Megjithëse të mbyllur gjithandej, prap do pastroheshin! Për kurioziotet, po fus këtu në mes të shkrimit një pasazh nga tankistët. Në ato vite vinin shumë delegacione të Partive Komuniste, të huaja, simotra të P.P.SH-së. Kuptohet shpenzimet dhe dhuratat (lexo dollarët) ua jepnin shqiptarët nga fondi internacional! Kështu erdhi në një rast kryetari i Partisë Komuniste të Belgjikës, Zhak Gripa. Efektivi prej katër tankistash ishte rreshtuar përpara tankut. U dha urdhëri për t’u futur në tank e gati për luftë! Efektivi, hypi, hyri e mbylli kapakët për…shtatë sekonda. Zhak Gripa u pataks.
-Mos nuk më punon ora mua? – dhe shihte orën i hutuar!
-Jo- i tha oficeri- ja ku keni kronometrin. Fiks shtatë sekonda, jo tetë!
Vazhdojmë me tonën. Gjatë kohës së shërbimit teknik lindte nevoja që të provoheshin motorët gjatë ndezjes. Po ashtu kur lyeshin gomat. Tanku duhej të lëvizte gjysëm metri nga vendi e të lyhej edhe pjesa e poshtme mbi zinxhir. Theksojmë se distanca nga tanku në tank, në rrjesht njeri pas tjetrit, ishte jo më shumë se 120 centimetra. Por, kur do, e keqja bëhet edhe pa pyetur ne.
Fotua doli para tankut të dytë dhe i bëri shenjë shoferit (për të gjithë pesë tanket në kollonë) që të ecnin përpara pesëdhjetë centimetra, duke qëndruar vet ndërmjet dy tankeve. Mirëpo, tanku në shkëputje kur i fut marshin, ka një avancim prej gati 60-80 centimetra. Pas shenjës së Fotos, shoferi lëshoi frenin, tanku u shkëput dhe fotalja, balli i mprehtë i tankut e ngjeshi Foton pas fundores së tankut tjetër, duke e prerë në mes Foton. Kuptohet, alarmi ishte i madh, rrëmuja po ashtu, larguan tankun “prerës” dhe e tërhoqën trupin e Fotos (në fakt Fotua kishte vdekur në vend por shpresa për mbijetesë!), e hypën në një transportues të blinduar transporti BNP2 dhe drejt në Spitalin Ushtarak në Laprakë. Fotua, djali flori, jetim, miku im i paharruar kishte dhënë shpirt në mes të dy tankeve. Një histori kjo, 50 vjeçare, por për mua e dhimbshme dhe do jetë e paharruar.
NGJARJA E DYTË
Viti 1976. Zhvillohej stërvitje me tanke në Tale të Lezhës. Ishte viti kur vdiq Mao Ce Duni dhe neve lajmi na erdhi në fushim. Nuk pati ndonjë reagim politik sepse në ato vite marrëdhëniet ishin pothuajse në kuotën zero. Qeveria kineze do na jepte edhe ca ndihma me “pikatore”, jo se u vinte keq për ne por sepse i brente edhe ndërgjegjia dhe ndodheshin keq përpara opinionit botëror se lanë në “baltë” dhe në mes të rrugës motrën e tyre të vogël. Fillimisht, me ardhjen në pushtet në Kinë të grupit të Huo Kon Fenit, u duk sikur marrëdhëniet po përmirësoheshin, por me kushtet e tij, qeveria shqiptare nuk i pranoi marrëdhëniet. Huo Kuo Feni do mbahet mend për dy gjëra, dënimin me pushkatim të gruas së Mao Ce Dunit në grupin e “katërshes” si edhe me dhuratën e një rafinerie nafte Jugosllavisë për inat të qeverisë shqiptare.
Një kuriozitet për këtë situatë. Delegacioni shqiptar i udhëhequr nga Mehmet Shehu, kishte vajtur në Kinë pikërisht në këtë kohë për të parë se si do zbatonin kinezët kontratat me vendin tonë. Pa u çuditur aspak, pasi u prit ftohtë, pa tam-tame e gondola në rrugët e Pekinit, parandjeu se diçka kishte marrë fund. Nga 46 kontrata që ishin firmosur midis të dy palëve, përpara se të shkonte delegacioni ynë, kinezët filluan të bënin kinezërira. Në takimet midis tyre, pala kineze ankohej për mos përmbushje të detyrimeve me mungesën e lëndës së parë, dhe ato pjesë e ato të tjera nuk mund të prodhoheshin dot etj. etj. Shkurt, Mehmeti njofton me fonogram Enver Hoxhën se kinezët nga 46 kontrata do realizonin vetëm 16 prej tyre, të cilat edhe ato u reduktuan më pas akoma më shumë. Enveri, duke ditur më përpara situatën, i shkruan Mehmetit: “Shoku Mehmet, merr ç’të marrësh, nuk kemi ç’tu bëjmë, duhet me i thënë derrit dajë!”.
Vazhdojmë me stërvitjen. Kompania prej nëntë tankesh ishte rreshtuar në kollonë, gati për nisje, por po pritej mbrëmja sepse “sulmi do kryhej natën”. Në sfond në bregdet ishte vendosur armiku, tabela të mëdha me skelet metalik në formën e tankut armik të veshura me napë (beze). Prapa çdo tabele në tokë ishte vendosur një bateri e cila furnizonte një llambë prej dymbëdhjetë voltësh e vendosur në mes të tabelës, gjithsej nëntë tabela e nëntë llamba. Llamba ishte thjesht pikë referimi që artilieri i tankut të mos gjuante kuturu.
Njëkohësisht në thellësi të terrenit, afro njëqind metra larg në brezin nga do kalonin tanket, ishte ndërtuar si zakonisht një kullë druri për vrojtim, e lartë deri në dhjetë metra të cilën ne e quanim “vishkë”. Grupi i vrojtimit të stërvitjes prej 6 apo 7 vetësh, oficera, ishin ulur nëpër stola me një mikro tavolinë përpara dhe fatkeqësisht… edhe me një llambë vajguri si fener mbi të. Ky fener, të cilin rregullorja nuk e lejonte gjatë stërvitjeve natën, do të shkaktonte kaspahanën në atë “vishkë”. Pritej sinjali për lëvizjen e tankeve në kollonë dhe pasi secili tank të ishte vendosur përballë çdo tabele me tankun armik, do të hapnin zjarr. Zjarri realizohej me predha të vërteta, reale, goxha plumb blindshpues të mitrolozit në kullën e tankut. Në momentin që tanket u vendosën, u dha urdhëri të ktheheshin djathtas në drejtim të tabelave, çdo tank një tabelë dhe orientimi jepej gjithmonë nga komanda në majë “vishkës”. Tanket u kthyen në pozicion dhe çdo artilier filloi të drejtonte kullën e tankut në drejtim të tabelës me tankun “armik” që do godiste ai.
Mirëpo, fatalisht, njeri nga artilierët duke rrotulluar për kontroll rutinë kullën e tankut të tij, ndalesën nuk e bëri te llamba e vogël në mes të tabelës që përfaqësonte “tankun armik” që ai do godiste. Atij i tërhoqi vëmendjen llamba e mekur e fenerit të “vishkës”, të cilën ai e ngatërroi me dritën e tabelës “tankut armik”. Të gjithë filluan tanket filluan zjarrin me mitroloz drejt në mes të tabelave, atje ku i orientonte llampa e vogël prej dymbëdhjetë voltësh. Artilierin që kishte kthyer tytën e tankut nga “vishka” fatkeqësisht nuk e pikasi askush. Po ta kishin pikasur, ndoshta edhe kasaphana mund të ishte evituar. Zjarri ishte i tmershëm, çdo mitroloz kishte një shirit prej dyqind e pesëmbëdhjetë fishekësh! Plumbat përfshinë “vishkën” dhe kuptohet kasaphana, të gjithë të vrarë, gjaku kullonte mbi trupat e coptuar e njeri mbi tjetrin. Kaosi, hutimi, tmerri, kjo ishte pasqyra e momentit. Këtë rrëmujë e shtonte edhe nata, terr, siç thotë populli zakonisht, “të fuste gishtin në sy tjetri”. Dëmi ishte kolosal. Gjashtë-shtatë kufoma të mbytura në gjak, të coptuara “flinin në vishkë”. Një pakujdesi fare e vogël shkaktoi një dëm kolosal me shtatë jetë njerëzish.
NGJARJA E TRETË
Viti 1977. Duke parë rrezikun e një invazioni vetëm nga deti, Qeveria Shqiptare organizonte pothuajse çdo vit stërvitje të formave të ndryshme, deri edhe tek ato komando shtabi. Lezha ishte sipas strategëve shqiptarë, një zonë e mundshme zbarkimi pasi edhe bregdeti i Tales ishte moçalor me disa kilomentra në thellësi. Këtë zonë qeveria e kishte zgjedhur edhe si një zonë primare për të internuarit politikë, duke i strehuar nëpër stalla e baraka e sigurisht që të mos hanin bukën “kot” i angazhonte në punë. NBU-të, ndërmarrjet bujqësore ushtarake, apo NBSH-të, ndërmarrjet bujqësore shtetërore ishin si tip sovkozesh të stilit sovjetik.
NBU-të u krijuan që të punonin më shumë ushtarët, dmth. që prodhimi i tyre të lehtësonte barrën e ushtrisë duke prodhuar vet ushtria…. perimet!!! Të internuarit politikë punonin në zona të veçanta dhe e kishin të ndaluar komunikimin me ushtarët apo me pjesën tjetër të popullsisë vendase. Në këtë kuadër zhvillohej edhe këtë rradhë stërvitja Komando Shtabi. Stërvitja do zhvillohej me tanke për rikonicion, pra jothjeshtë një sasi tankesh në sulm. Pas sinjalit të dhënë, tanku i maskuar me shqope u fut në zonën e vështirë të bregdetit, një baltovinë e cila në pamje të parë dhe e mbushur me bar, të jepte përshtypjen e një terreni të fortë dhe solid. Por, tanku mbeti në atë baltovinë dhe sa herë shoferi mundohej ta nxirrte nga balta, aq më shumë ai zhytej.
Identike me atë të tankeve ruse sot, në zonat e periferisë së Kievit, që kur u sulën nga Bjellorusia mbetën në baltovinë dhe u tërhoqën. Në këto kushte u dërgua një tank tjetër i cili u lidh me tankun e zhytur me kavo dhe filluan së bashku të provonin daljen nga baltovina. Zhytja ishte e thellë, tankeve iu zhytën rrotat komplet dhe prapë nuk dolën. At’here u dërgua një tank i tretë. Kollona e tre tankeve këmbëngulte duke u sforcuar në kulm por ishte e pamundur. Të tre pushuan së tentuari. U kërkua ardhja e një diagaçi. Ky mjet është i përsosur për këtë lloj operacioni sepse nuk kishte kullë, kishte një lloj thike përpara si të fatromave, të cilën kur e ngulta ne tokë, forca e fërkimit ishte pothuajse zero. Plus që kishte një kavo goxha të gjatë të lidhur e të komanduar me një karrukull me fuqi-mekanike. Pra, ky do t’i nxirrte të tre tanket nga balta, fët e fët, një e nga një. Por, udhëheqja nuk pranoi të dërgonte të “uruarin” e të shpëtonin edhe mjetet nga sforcimi, edhe kohën që ikte pa kthim. Pas refuzimit nga Komando e Tankeve, që të dërgonin diagaçin, u thirr Tekniku u Batalionit, një ekspert i vërtetë, Dhimitër Mitrushi.
Dhimitri ishte një specialist i mirëfilltë për këtë punë, kishte bërë edhe shkollë të posaçme për këto raste në Bashkimin Sovjetik. Ai erdhi, i veshur me një palë çizme sovjetike me lëkurë të dyfishtë e zinxhir nga brenda (balta ishte deri në gju) dhe pasi mblodhi të gjithë komandantët, iu tha: “Me këtë baltovinë, tanket nuk ka zot t’i nxjerrë andej, përveç diagaçit që nuk na e dhanë, prandaj duhet që i gjithë batalioni të shkojë tek ajo kodra përballë – dhe bëri me dorë në atë drejtim- të korrë e të sjellë këtu shqope. Kuptuat”!. Të gjithë ushtarët u shpërndanë për të korrur e mbledhur shqope, të cilat më pas, tufa-tufa i sillnin dhe Dhimitri i orientonte t’i vendosnin shtruar në formën e rrogozit përpara zinxhirëve të tankut të parë, deri për rreth njëzet-tridhjetë metra, ku tabani i tokës tregonte fortësi, që do i garantonte tankut lëvizjen pa probleme për të dalë nga baltovina. Pasi mbaroi shtrimi, Dhimitri orientoi tankistin, i cili filloi lëvizjen e tankut duke shkelur mbi shqope. Profecia e Dhimitrit dha rezultat, tanku filloi lëvizjen lirshëm mbi “qylymin e shqopeve” duke dalë nga baltovina. Pas tij, dolën edhe tanku i dytë dhe i tretë nga baltovina. Mos dërgimi i diagaçit dëmtoi shumë rëndë motorët e tankeve në përpjekje për të dalë nga baltovina. Dikush duhet të mbante përgjegjësi. Në ditët e mëpasme, në analizën e stërvitjes, për këtë ndodhi të pazakontë, si mungesë solidariteti (mos dërgimi i diagaçit) u shkarkuan disa kuadro me përgjegjësi në rradhët e ushtrisë. Pësimi duhet të kthehet në …mësim!
Autori, drejtori i revistës “Hosteni”



