Nga Albert Zadrima
Shqipëria në ditën më të zezë të saj
Shqipëria nuk është në krizë qeverisjeje.
Është në kolaps shtetëror.
Kemi një qeveri të zhytur në korrupsion sistemik, shpopullim masiv, grupe kriminale që drejtojnë dhe kontrollojnë hallka të shtetit, media të blera nga interesa oligarkësh, president kukull, drejtësi të frikësuar dhe selektive.
Ky nuk është perceptim, është realitet i dokumentuar.
Në anën tjetër, kemi një lider opozite që prej 35 vitesh sillet rreth Shqipërisë duke prodhuar më shumë trauma sesa zgjidhje.
I mundur me votë në 2013 dhe që prej asaj dite humbet ai dhe partia e tij, pa asnjë reflektim real. Koha vërtetoi se Lulzim Basha nuk ka qenë kurrë kryetar de facto i PD-së.
Në momentin që tentoi të bëhej, duke përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar, përjashtoi veten. Sepse Berisha e rrethoi në zyrën e tij. Ky është fakti.
Ky është realiteti shqiptar që një pjesë nuk duan as ta shohin, as ta besojnë.
Ju shqiptarë me bindje të majta, ndaloni së votuari me tifozllëk.
Edi Rama nuk është i majtë.
Është një anarshist i lindur, i korruptuar, i papërgjegjshëm, aventurier politik, i lidhur dhe peng i grupeve kriminale, demagog manipulator, që ka shitur vendin për pushtetin e tij personal.
Ju shqiptarë me bindje të djathta, ndërgjegjësohuni.
Sali Berisha nuk ka qenë kurrë i djathtë.
Është një komunist i formuar, me mendësi dhe veprim komunist, pragmatist i rëndomtë për pushtet personal, minues i pronës, armik i pluralizmit politik, islamik në formim e veprim, humbës serial pa asnjë ndjenjë përgjegjësie.
Edi Rama është fatkeqësi dhe rrezik kombëtar.
Sali Berisha është rrezik për të djathtën, për pluralizmin dhe për të ardhmen e vendit.
Kush është zgjidhja?
Jo, zgjidhja nuk është rrokada Rama–Berisha.
Jo, zgjidhja nuk janë emra parafabrikatë që dalin nga vrimat e pushtetit.
Jo, zgjidhja nuk është “kryeministri teknik” si debat boshe.
Zgjidhja vjen me platforma, me kauza, me njerëz që marrin përgjegjësi.
SHBA po skanon realitetin.
Po sheh mungesën e reagimit qytetar.
Po sheh një shoqëri të lodhur, të mpirë, të frikësuar, të politizuar.
Amerika ndihmon vetëm ata që kuptojnë ku janë zhytur dhe kush i ka zhytur.
Sistemi që kemi sot quhet Rama–Maduro–Berisha.
Ka njerëz në shesh, në shi, në të ftohtë, në qëndresë.
Adriatik Lapaj është aty jo si shpëtimtar, por si mundësi për të tronditur sistemin. Sot nuk ka rëndësi emri, por kauza. Dhe kauza sot është detyrë qytetare, të bllokohen dhe të largohen kthetrat e Ramës dhe Berishës nga e ardhmja e Shqipërisë.
Opozita ka një rrugë të vetme, të krijojë lidership të besueshëm, pa Sali Berishën violinë të parë. Në të kundërt, vendi do rrokulliset drejt zgjidhjeve të tjera, më të dhimbshme.
Berisha e kupton këtë më mirë se kushdo. Por shtyn kohën për të kapur “fatin”.
Fati nuk ndihmon non grata-t.
Fati ndihmon idetë.
Sali Berisha, kjo është prova jote.
Jo pritja, por vendimmarrja.
Çliro veten.
Çliro PD-në.
Çliro të djathtën.
Çliro Shqipërinë.
Jepi mundësi një lidershipi të rritet, të ecë përpara, të krijojë shpresë dhe besim.
Është në dorën tënde nëse do kemi Rama–Maduro–Berisha,
apo vetëm Rama–Maduro.
Po ta them publikisht, sepse në partinë tënde nuk ka më njeri me kurajë politike dhe qytetare ta thotë, megjithëse të gjithë e mendojnë.
Zgjohuni shqiptarë!
Nevrikosuni për të drejtat tuaja të mohuara.
Dilni zot vetes dhe kombit.
Sepse ky vend nuk ka më kohë për pritje.







