Ballina Europë Vende evropiane refuzojnë pretendimin e SHBA për Groenlandën

Vende evropiane refuzojnë pretendimin e SHBA për Groenlandën

18
0

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, i tha radios Deutschlandfunk se Groenlanda dhe Mbretëria e Danimarkës duhet të vendosin vetë për të ardhmen e tyre. BE ripërsëriti parimin e sovranitetit territorial.

Megjithatë, brenda kuadrit të NATO-s, është e mundur të diskutohen çështjet e sigurisë në rajonin e Arktikut me SHBA-në, theksoi më tej ministri Wadephul gjatë vizitës tek ushtarët gjermanë në Lituani të hënën (05.01.).

Kryeministri britanik Keir Starmer theksoi se qëndron në krah të Danimarkës. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme franceze shprehu një mendim të ngjashëm. Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, shkroi në Facebook se kërcënimet, presioni dhe thashethemet për aneksim nuk kanë vend mes miqve.

Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur ditët e fundit se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën për arsye sigurie kombëtare dhe mbrojtjeje. Danimarka nuk do të ishte në gjendje ta bënte këtë, tha Trumpi.

“Sovraniteti i vendeve të tjera duhet të respektohet”

BE ripërsëriti parimin e integritetit territorial. Një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel tha se të gjithë partnerët janë të detyruar të respektojnë sovranitetin e vendeve të tjera. BE do t’i mbrojë këto parime universale.

Kryeministri i Groenlandës, Nielsen, theksoi se vendi i tij ishte i hapur për dialog. Megjithatë, kjo duhet të bëhet përmes kanaleve të duhura dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se nuk kishte kuptim të flitej për marrjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara. “Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtë të aneksojnë asnjë nga tre shtetet e Mbretërisë së Danimarkës,” tha Frederiksen në një deklaratë të dërguar me email.

Danimarka përbëhet nga territori i Detit të Veriut dhe Detit Baltik, si dhe nga ishujt atlantikë të Groenlandës dhe Ishujve Faroe, të cilët administrohen në mënyrë autonome.

“Prandaj i bëj thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalojnë kërcënimet e tyre kundër një aleati historikisht të afërt dhe kundër një vendi tjetër dhe një populli tjetër që e kanë bërë shumë të qartë se nuk janë për shitje,” shtoi kryeministrja daneze.

Trumpi: “Ne patjetër na duhet Groenlanda”

Trump riafirmoi pretendimin e vendit të tij për Groenlandën. Ai i tha revistës amerikane The Atlantic se Venezuela mund të mos jetë vendi i fundit ku Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë. Ai tha se SHBA kanë nevojë patjetër për Groenlandën. Ishulli është “i rrethuar nga anijet ruse dhe kineze”, argumentoi Trumpi. Ai nuk përjashtoi përdorimin e mjeteve ushtarake.

Mesazh online nga gruaja e Shefit të Shtabit të SHBA-së, Miller

Çështja u rikthye në qendër të vëmendjes nga një mesazh online nga rrethi i brendshëm i qeverisë amerikane: gruaja e zëvendësshefit të Shtabit të Trump-it, Miller, postoi një hartë të Groenlandës me ngjyrat e flamurit amerikan, të shoqëruar me komentimin “së shpejti”.

Kryeministri i Groenlandës, Nielsen, protestoi: “Vendi ynë nuk është për shitje dhe e ardhmja jonë nuk vendoset nga postimet në rrjetet sociale.” Ambasadori i Danimarkës në Shtetet e Bashkuara, Sörensen, gjithashtu i bëri thirrje Uashingtonit të ruajë integritetin territorial të Mbretërisë.

Vendet skandinave mbështesin Danimarkën

Kryeministrat e Suedisë dhe Norvegjisë, si dhe presidenti i Finlandës, mbështetën publikisht deklaratën e Frederiksen. Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store shkroi në platformën X: “Groenlanda është pjesë integrale e Mbretërisë së Danimarkës. Norvegjia qëndron në solidaritet të plotë me Mbretërinë e Danimarkës.”

Kryeministri suedez Ulf Kristersson deklaroi: “Vetëm Danimarka dhe Groenlanda kanë të drejtën të vendosin për çështjet që i prekin Danimarkës dhe Groenlandës.” Ai shtoi: “Suedia mbështet plotësisht fqinjën e saj.” Presidenti finlandez Alexander Stubb, i cili thuhet se ka një marrëdhënie të veçantë me presidentin amerikan, shkroi: “Askush nuk vendos për Groenlandën dhe Danimarkën përveç Groenlandës dhe Danimarkës vetë.”

Groenlanda është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, por gëzon një shkallë të lartë autonomie. / DW