Rreth 2.5 milionë pasuri të paluajtshme të qytetarëve shqiptarë, do të nisin gradualisht që të regjistrohen në Kadastrën Fiskale, e cila tashmë është funksionale, për t’u bërë më tej subjekt i taksës së re të pronës. Sipas dokumentit të programit buxhetor afatmesëm 2026-2028, kostoja e regjistrimit llogaritet 25.7 milionë lekë, ose 10.2 lekë për çdo pasuri të regjistruar. Për projektin “ProTax Albania”, që synon zbatimin e taksës së pronës të bazuar në vlerën e tregut, në vitin 2026 parashikohen shpenzime prej 8.7 milionë lekësh.
Në kuadër të këtij projekti, Ministria e Financave aktualisht ka ngritur Kadastrën Fiskale dhe ka hartuar një projektligj sipas standardeve europiane, në bashkëpunim me partnerët suedezë, i cili pritet të miratohet brenda këtij viti.
Sipas Ministrisë së Financave brenda vitit 2026, të gjitha bashkitë do të jenë të integruara në sistemin e Kadastrës Fiskale dhe gradualisht do të fillojë regjistrimi i pronave në sistem.
Në vitin 2027 parashikohet të kryhet procesi kombëtar i vlerësimit të pronave, ndërsa ligji i ri i cili përfshin aplikimin e taksës së re të pronës sipas vlerës së tregut, parashikohet të hyjë në fuqi në vitin 2028.
Dhe në vitin 2030 do të nisë zbatimi i takës mbi tokën/truall, çka finalizon reformën e taksën e pasurisë.
Buxheti 2026 ka parashikuar një rritje të mëtejshme të të ardhurave nga kjo taksë për llogari të bashkive, me një total vjetor prej 10 miliardë lekë apo rreth 100 milionë euro, ose rreth 1.4 miliardë lekë më shumë sesa në vitin 2025.
Por, pavarësisht se do të ketë një ligj të ri dhe Kadastër Fiskale funksionale, kjo reformë kërkon angazhimin e plotë të bashkive për të garantuar zbatimin sa më efikas. Taksa që do të aplikohet mund të variojë nga 0.035% deri në 0.065% për banesat dhe nga 0.14% deri 0.26% për ambientet komerciale, megjithatë ende nuk ka koeficiente zyrtarë, pasi do të pasqyrohen në projektligjin e ri që do të hidhet të për konsultim publik.







