Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato zhvilloi një takim sot me kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji ku rikonfirmoi angazhimin për të mbështetur sundimin e ligjit në Shqipëri.
Në një postim në Facebook ambasadori shkroi: “Bashkëpunimi me të gjithë sistemin gjyqësor shqiptar është thelbësor për integrimin evropian, dhe Gjykata Kushtetuese mbetet një partner qendror në këtë proces.”
Postimi i plotë i Silvio Gonzatos:
“Pata kënaqësinë të uroj Kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, dhe të rikonfirmoj angazhimin tonë për të mbështetur sundimin e ligjit në Shqipëri, duke theksuar rolin kyç të Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë.
Gjykata ka arritur tashmë nivelin e nevojshëm të stabilitetit, me dy vende të lira që pritet të plotësohen shumë shpejt, ndërkohë që vijon të ruajë cilësinë, transparencën dhe pavarësinë si institucioni më i lartë i drejtësisë në vend.
I konfirmova Kryetares Papajorgji se planifikojmë ta përfshijmë Gjykatën si përfituese në projektet tona të ardhshme dhe të mbështesim përpjekjet e saj për të harmonizuar më tej praktikën gjyqësore me të drejtën e BE-së. Bashkëpunimi me të gjithë sistemin gjyqësor shqiptar është thelbësor për integrimin evropian, dhe Gjykata Kushtetuese mbetet një partner qendror në këtë proces,” Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.







