Ballina Kulturë Letërsia si qëndresë, kultura si mision

Letërsia si qëndresë, kultura si mision

47
0

Nga Sevdail Hyseni

Bilall Maliqi ka ndërtuar një profil të rrallë në letërsinë shqipe të Luginës së Preshevës: një shkrimtar produktiv, i përkthyer ndërkombëtarisht, por i lënë shpesh në hije nga institucionet lokale. I lindur më 8 prill 1969 në fshatin Elez Bali, Komuna e Preshevës, ai jeton dhe vepron në vendlindje, duke e parë letërsinë jo vetëm si art, por si formë rezistence kulturore.

Pas përfundimit të shkollës së Grafikës dhe disa kurseve të gazetarisë, Maliqi u punësua në Ndërmarrjen Grafike “Grafoflex”, ku punoi për 15 vite, deri në privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore më 2003. Më pas, për gati dy dekada, përjetoi papunësinë, duke mos e ndalur megjithatë veprimtarinë kulturore dhe letrare.

Në vitin 2022 u punësua në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë, por pas dy vitesh u largua nga puna, sipas tij, për arsye politike, tetë muaj para përfundimit të kontratës. “Kjo më rikujtoi kohën e diferencimeve ideo-politike ndaj shqiptarëve,” thotë ai, duke shtuar se padrejtësitë nuk e kanë zbehur vullnetin për të punuar për kulturën.

45 libra në 22 vite krijimtari

Krijimtaria e Bilall Maliqit përfshin pothuajse të gjitha zhanret letrare, përveç dramës. Ai është autor i 45 librave: poezi për të rritur dhe për fëmijë, prozë për fëmijë, kritikë letrare, aforizma dhe publicistikë. Në vitin 2024, Shtëpia e Kulturës i organizoi 20-vjetorin e krijimtarisë letrare, një ngjarje që ai e cilëson si vlerësim institucional të rrallë, falë angazhimit të ish-drejtorit Kujtim Sadriu. “Një drejtor e respekton krijimtarinë, tjetri të largon nga puna politikisht – ky është realiteti ynë kulturor,” thekson Maliqi.

Përkthime, çmime dhe prani ndërkombëtare

Vepra e tij është përkthyer në anglisht, italisht, rumanisht, frëngjisht dhe suedisht. Në gjuhën angleze ka botuar dy vëllime poetike dhe është përfshirë në dhjetëra revista e antologji kombëtare dhe ndërkombëtare. Deri më tani, ka fituar mbi 20 çmime letrare, disa prej tyre me karakter ndërkombëtar.

Viti 2025, sipas tij, ishte veçanërisht frytdhënës: botoi tri libra dhe numrin e 15-të të revistës së vetme kulturore-letrare në Preshevë, “Qëndresa”. Po ashtu u përfshi në shtatë antologji dhe fitoi katër çmime të reja.

Kritika letrare dhe rreziku i pseudo-vlerave

Për krijimtarinë e Maliqit kanë shkruar emra të njohur të kritikës letrare. Këto vlerësime janë përmbledhur edhe në një libër studimor prej rreth 200 faqesh, botuar në vitin 2019, ndërsa një vëllim i dytë është në përgatitje. Megjithatë, ai shpreh shqetësim për gjendjen e kritikës sot: “Kritika duhet të jetë më e ashpër dhe më e ndershme. Kritika miqsh dhe ajo komerciale e dëmtojnë letërsinë dhe vetë librin.”

Panairi i librit dhe politizimi i kulturës

Duke folur për Panairin e Librit në Preshevë, Maliqi thekson se aktiviteti është politizuar dhe se shumë krijues janë anashkaluar për shkak të qëndrimeve të tyre. “Panairi i librit nuk duhet të jetë tribunë politike. Kultura humbet kur përdoret si dekor,” thotë ai.

Planet për vitin 2026

Planet për vitin 2026 Viti 2026 pritet të nisë me botimin e numrit të ri të revistës “Qëndresa” , me sponzorimin e atdhetarit dhe dashamirit të kulturës, z. Qenan Hamdi Vlora, dhe me daljen nga shtypi të librit më të ri me poezi në anglisht, përkthyer nga Peter Tase. Po ashtu, Maliqi është përfshirë në dy antologji botërore dhe paralajmëron botime të tjera, të cilat presin kushte më të mira materiale. Pavarësisht vështirësive, ai mbetet optimist: “Fjala nuk pushohet nga puna. Ajo vazhdon…”