Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për dështim të plotë në menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të shiut gjatë ditëve të fundit, duke e cilësuar gjendjen në disa qytete të vendit si alarmante dhe katastrofike.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, u shpreh se mbledhja e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, e thirrur dy ditë më parë nga Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret në terren.
Sipas PD-së, qytetarë në Tiranë, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Cërrik, Elbasan, Pogradec dhe zona të tjera vijojnë të jenë të përmbytur dhe të izoluar në banesat e tyre, me dëme të mëdha materiale. Banorët raportojnë se institucionet shtetërore nuk u janë përgjigjur thirrjeve për ndihmë, ndërsa të vetmit që kanë qenë të pranishëm janë gazetarët.
“Qytetet e Shqipërisë ndodhen prej ditësh nën pushtetin e ujit. Vetëm tre muaj më parë ndodhi një tjetër përmbytje dhe, edhe këtë herë, nuk u mor asnjë masë parandaluese, ndonëse reshjet ishin paralajmëruar,” shprehet Vangjeli.
PD akuzon qeverinë se ka zëvendësuar veprimet konkrete me propagandë, duke organizuar, sipas saj, “pseudo-inspektime”, ndërkohë që infrastruktura për ujërat e bardha vijon të jetë jashtë funksionit. Sipas deklaratës, kanalet dhe pusetat janë të bllokuara, ndërsa investimet milionëshe në hidrovorë rezultojnë të pafrytshme përballë situatës aktuale.
Në këtë kontekst, Partia Demokratike kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e përmbytura dhe marrjen e përgjegjësisë së plotë nga shteti për dëmshpërblimin e banorëve dhe bizneseve të prekura.
PD gjithashtu i bën thirrje Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, të japë dorëheqjen, ndërsa kërkon që organet e hetimit të nisin procedurat për përgjegjësit e kësaj situate, të cilën e cilëson si të paralajmëruar dhe me pasoja të rënda, deri në rrezikimin e jetëve njerëzore.
“Shqipëria nuk qeveriset me propagandë, por me veprime konkrete,” përfundon Vangjeli.
Deklarata e Genta Vangjelit:
Dy ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mblodhi Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të diskutuar situatën e krijuar nga reshjet intensive të shiut gjatë ditëve të fundit.
Por cili është rezultati konkret i kësaj mbledhjeje?
Gjendja e qytetarëve të përmbytur në Tiranë, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Cërrik, Elbasan, Pogradec e jo vetëm është alarmante dhe tejet e mjerueshme. Banorët raportojnë se janë të izoluar në banesat e tyre, të përmbytura dhe me dëme të mëdha materiale, duke u shkatërruar mundi dhe sakrificat e shumë viteve pune.
Mbi të gjitha, instancat shtetërore nuk u përgjigjen telefonatave për ndihmë. Askush, përveç gazetarëve, nuk shkon për t’u interesuar për gjendjen e tyre.
Prej disa ditësh, qytetet e Shqipërisë ndodhen nën pushtetin e ujit. Vetëm tre muaj më parë ndodhi një tjetër përmbytje dhe, edhe këtë herë, asnjë masë parandaluese nuk u mor, ndonëse reshjet e dendura ishin paralajmëruar.
Si çdo herë, pushtetarët e kësaj qeverie, sapo bie shi, veshin çizmet e propagandës dhe shëtisin nëpër pseudo-inspektime, ndërkohë që realiteti për qytetarët është katastrofik. Masat parandaluese munguan plotësisht dhe reagimi erdhi vetëm pasi dëmi ishte bërë.
Kanale dhe pusetat vijojnë të jenë të bllokuara, si pasojë e mungesës së investimeve serioze për ujërat e bardha, pavarësisht se miliona euro janë shpenzuar për hidrovorë që sot rezultojnë të paaftë për të përballuar situatën.
Në fund, fatura e kësaj paaftësie dhe papërgjegjshmërie i shkon gjithmonë qytetarëve.
Ligji është i qartë prandaj Partia Demokratike kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e përmbytura.
Shteti duhet të marrë përgjegjësi të plotë për dëmshpërblimin e banorëve dhe bizneseve të prekura.
Shqipëria nuk qeveriset me propagandë, por me veprime konkrete.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, duhet të japë dorëheqjen, ndërsa organet e hetimit duhet të nisin hetimet për penalizimin e gjithë përgjegjësve të kësaj situate të paralajmëruar, të cilët me veprimet apo mosveprimet lejuan krijimin e kësaj gjendjeje katastrofike, me pasoja të rënda deri në humbjen e jetëve njerëzore nga përmbytjet.







