Në mars të vitit 2022, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako postoi në profilin e saj në facebook një videoinspektim të punimeve për hidrovorin e ri të Durrësit, në zonën e Porto Romanos.
“Investimet dhe puna që kemi bërë për rehabilitimin e kanaleve të ujërave të larta dhe ndërtimi i hidrovorit të ri do të zgjidhin problemin e përmbytjeve në qytet,” deklaroi Sako gjatë një bashkëbisedimi të stisur me një punonjës që gjendej aty.

Ky postim është një indicie mëse e mjaftueshme, që SPAK të hapë hetimet mbi atë që dyshohet si një nga aferat më të zeza korruptive të zonjës Sako, e cila për nga dëmet e shkaktuara publikut, financiare dhe jo vetëm, mund të klasifikohet pa frikë si lubia numër 2 e Rilindjes. Dhe nëse SPAK nuk bindet akoma, dosja e hidrovorit është thuajse e gatshme.
Në dhjetor të vitit 2021, Bashkia e Durrësit hapi një tender 1.972 miliardë lekë ose 20.5 milionë euro me kursin aktual, për rehabilimin e kanaleve dhe ndërtimin e një hidrovori të ri në qytetin e Durrësit. Sako e justifikoi ndërtimin e hidrovorit të ri me faktin se hidrovori ekzistues ishte dëmtuar nga tërmeti, ndërkohë që Lëvizja Bashkë akuzoi një ditë më parë se hidrovori i vjetër u asgjësua për të lejuar zgjerimin e portit koncesionar të kompanisë Adriatic Bay Invesment Group.
Por akuza e Arlind Qorit u hodh menjëherë poshtë nga kompania koncesionare, e cila sfidoi këdo që akuzonte të verifikonte situatën në terren. “Hidrovori ekzistues dhe hidrovori i vjetër funksionojnë në mënyrë krejtësisht të pavarur nga Porti MBM. Funksionimi i tyre nuk është cenuar në asnjë moment nga aktiviteti portual dhe kjo gjë mund të vërtetohet lehtësisht në terren,” reagoi kompania.
Por ndonëse roli i Portit nuk duket të ketë ndonjë efekt në përmbytjen e Durrësit, shkaku real gjendet diku tjetër. Tek korrupsioni.
Proçedura për ndërtimin e hidrovorit të ri u zhvillua me tender të kufizuar, gjithmonë me preteksin e rindërtimit nga tërmeti, edhe pse ky i fundit kishte më shumë se 2 vjet që kishte kaluar.
Dhe arsyet se pse 20 milionë eurot u prokuruan me garë të cunguar u zbuluan vetëm dy javë më vonë, kur Emiriana Sako caktoi fituesin e llokmës së madhe. Ai ishte bashkimi i tre kompanive, që përbëhej nga 2T, Vëllezërit Hysa dhe Adriatik shpk. Këta e fituan tenderin me 99.9 për qind të fondit limit duke i kursyer qytetareve më pak se 20 mijë euro në një kontratë 20 milionë euro.








