Ballina Aktualitet Prokuroria e Durrësit nis hetimet për përmbytjet, dyshime për dështim të hidrovorit...

Prokuroria e Durrësit nis hetimet për përmbytjet, dyshime për dështim të hidrovorit të Porto Romanos, zyrtarët nuk përmbushën detyrën, përgjegjës për situatën

71
0

Prokuroria e Durrësit nis hetmet lidhur me përmbytjet në Durrës, ku është shkaktuar dhe viktima e parë, ndërsa qyteti dhe rrethinat vijojnë të jenë nën pushtetin e ujit. Burime pranë institucionit të akuzës thanë se hetimet po zhvllohen për veprën penale “shkatërrim prone me përmbytje” dhe ka dyshime të forta se përmbytjet janë shkaktuar për shkak të mosfunksionimit të hidrovorit të Porto Romanos.

Në këtë vepër  infrastrukturore janë investuar rreth 19 milionë euro publike, por rezultoi jashtë funksionit pikërisht në momentin kritik. Prokurorët të cilët janë duke mbledhur të dhëna mund të gjenden edhe përballë veprave të tjera penale, si abuzim me tenderat apo korrupsion.

Qindra shtëpi në Durrës janë nën pushtetin e ujit, ndërsa disa familje janë evakuuar. Paraprakisht vlerësohet se 250 hektarë tokë janë përmbytur. Dëmet materiale kapin shifrën e miliona eurove.

Tenderin për ndërtimin e hidrovorit të ri e fitoi tre kompanive; 2T, Vëllezërit Hysa dhe Adriatik shpk. 2T është kompania e Artan Sakos, vëllait të Gramoz Sakos, ky i fundit ish-drejtues i Gardës së Republikës, aktualisht kryetar i Bashkisë së Tepelenës.

“Adriatik” shpk është kompani që zotërohet ne masën 50 për qind nga babai Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Ujësjellës Kanalizimeve. Kompania Vëllezërit Hysa zotërohet në 40 per qind ng F.Hysa, ndërsa nga 30 për qind seicili zotërojnë Kujtim dhe Besnik Hysa.

Prokuroria e Durrësit, e cila po heton për përmbytjet në Durrës, ka dyshime se “personat e ngarkuar me funksione, të cilat kanë për detyrë menaxhimin e situatës janë kryer veprime ose mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetasve dhe personave juridikë dhe kanë sjellë edhe pasojat e rënda të evidentueshme dhe të matshme mbi të mirat pasurore si edhe në jetën e një personi i cili ka humbur jetën”.

Hetimi sipas burimeve zyrtare po zhvillohet nga prokurorja Suela Beluli, për akuzat e penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

“Situata e krijuar përgjatë dy ditëve për shkak të rreshjeve të vazhdueshme ka krijuar problematika reale të dukshme për personat fizikë, për mirëqënien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme.

Gjendja e krijuar e cila ka penguar zhvillimin e normale arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në të cilin ushtron juridiksionin territorial dhe lëndor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës jep të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal”, thekson Prokuroria.

Më tej theksohet se “nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur dhe vdekja e shtetasit Astrit Hysenaj, i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Sipas informacioneve rezulton se ky shtetas ka shkuar në zonë për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet dhe vërshimet e ujit. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend”

Lidhur me vdekjen e Hysenaj, prokuroria ka dyshime për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer nga personat përgjegjës për mirëmbajtjen, kontrollin dhe menaxhimin e situatës së krijuar për shkak të reshjeve të shiut, në qytetin e Durrësit.

“Ka dyshime se nga personat e ngarkuar me funksione, të cilat kanë për detyrë menaxhimin e situatës janë kryer veprime ose mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetasve dhe personave juridikë dhe kanë sjellë edhe pasojat e rënda të evidentueshme dhe të matshme mbi të mirat pasurore si edhe në jetën e një personi i cili ka humbur jetën. Po kështu, bazuar në dëmet e konsiderueshme të evidentuara deri më tani që janë shkaktuar në infrastrukturën publike si dhe pronën privat, ekzistojnë dyshime të arsyeshme për ekzistencën e veprës penale të “Shkatërrimit të pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, thuhet më tej në dosje hetimore.