Siguruesit vlerësojnë se vendosja për herë të parë në praktikë e mekanizmit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm motorik pritet të reflektohet me një ndikim negativ në nivelin e të ardhurave nga primet gjatë vitit 2026, me një efekt të përllogaritur në rreth 5 milionë euro në totalin e primeve të shkruara bruto.
Sipas përllogaritjeve, vetëm një pjesë e vogël e drejtuesve të mjeteve, rreth 3-4%, rezultojnë të përfshirë në aksidente me përgjegjësi gjatë një viti sigurimi, ndërkohë që shumica dërrmuese, afro 96%, nuk shkaktojnë dëme. Për këtë arsye, edhe pse një pjesë e vogël e drejtuesve me historik aksidentesh do të përballen me një rritje të çmimit të sigurimit për vitin 2026, uljet e aplikuara për pjesën më të madhe të portofolit do të kenë peshë më të madhe në rezultatin përfundimtar financiar të kompanive.
Referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga AMF nga dhjetori 2024 deri në nëntor 2025, në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik janë lidhur rreth 747 mijë kontrata sigurimi. Mbi këtë bazë, vlerësohet se afërsisht 30 mijë drejtues mjetesh do të përballen me një prim më të lartë sigurimi në vitin 2026, ndërsa rreth 717 mijë të tjerë do të përfitojnë ulje të çmimit të policës së sigurimit.
Aplikimi i mekanizmit bonus-malus është parashikuar prej vitesh në kuadrin ligjor të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, por zbatimi praktik i tij është bërë i mundur vetëm pas plotësimit të kuadrit rregullator përkatës. Nga janari 2025, kompanitë e sigurimit kanë nisur të aplikojnë faktorët e riskut në llogaritjen e primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, duke reflektuar karakteristikat individuale të rrezikut. Ndërkohë, nga janari 2026, për herë të parë në këtë proces është përfshirë edhe historiku i dëmeve nga aksidentet rrugore.
Skema e re parashikon që drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme të përballen me një rritje të primit të sigurimit në vitin pasardhës, ndërsa drejtuesit pa dëme të përfitojnë ulje. Për rastet me një aksident, primi do të rritet në raport me primin bazë, ndërsa për drejtuesit me më shumë se një dëm, penalizimi financiar do të jetë edhe më i lartë. Në të kundërt, drejtuesit që nuk kanë shkaktuar aksidente përfitojnë një bonus në çmimin e sigurimit, me ulje të tij me 3%.
Në fazën aktuale, sistemi mbështetet në historikun e dëmeve të vitit pararendës. Kjo do të thotë se drejtuesit që kanë pasur aksidente në vitin 2025, por që gjatë vitit 2026 nuk shkaktojnë dëme të tjera, do të rikthehen në kategorinë përfituese dhe do të gëzojnë ulje të primit të sigurimit në vitin 2027.
Zbatimi i plotë i bonus-malus shënon një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e funksionimit të sigurimit të detyrueshëm motorik në Shqipëri, duke lidhur drejtpërdrejt çmimin e sigurimit me sjelljen e drejtuesve të mjeteve dhe historikun e tyre të aksidenteve, por njëkohësisht duke krijuar edhe sfida financiare afatshkurtra për industrinë e sigurimeve.







