Ballina Bota Të shtëna me armë pranë një kishe mormone në SHBA, dy të...

Të shtëna me armë pranë një kishe mormone në SHBA, dy të vdekur dhe tetë të plagosur

46
0

Dy persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri jashtë një kishe në Salt Lake City, në shtetin e Utah-ut.

Ngjarja e rëndë ndodhi në parkingun e një shtëpie mbledhjesh të Kishës së Jezus Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e njohur si kisha mormone.

Sipas policisë, të paktën tetë persona u qëlluan me armë, dy prej të cilëve ndërruan jetë si pasojë e plagëve. Tre nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa për të tjerët nuk ka ende informacion të detajuar mbi gjendjen shëndetësore.

Në momentin e të shtënave, dhjetëra persona ndodheshin brenda kishës duke marrë pjesë në një funeral. Autoritetet sqarojnë se të gjitha viktimat janë të rritura

Shefi i policisë së Salt Lake City, Brian Redd, tha se nuk ka prova që sulmi të ketë qenë i motivuar nga urrejtja fetare. “Nuk besojmë se ky ishte një sulm i synuar kundër një feje të caktuar”, u shpreh ai, duke shtuar se ngjarja nuk konsiderohet as e rastësishme. Deri më tani, asnjë i dyshuar nuk është arrestuar.

Në vendngjarje mbërritën rreth 100 automjete të forcave të rendit, ndërsa zona u monitorua edhe nga helikopterë. Kryetarja e bashkisë së Salt Lake City, Erin Mendenhall, e cilësoi ngjarjen si tronditëse. “Kjo nuk duhej të ndodhte kurrë jashtë një vendi adhurimi, aq më tepër gjatë një ceremonie përkujtimore”, tha ajo.

Kisha mormone njoftoi se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet dhe shprehu mirënjohje për ndërhyrjen e shpejtë të shërbimeve emergjente. “Lutemi për të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi dhe jemi thellësisht të shqetësuar që një hapësirë e shenjtë u kthye në skenë dhune”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Ngjarja vjen në një kohë kur vendet e adhurimit në SHBA janë në gatishmëri të shtuar, pas një sulmi të ngjashëm muajin e kaluar në Michigan, ku katër persona u vranë në një kishë, ndërsa autoritetet federale konfirmuan se autori ishte i motivuar nga bindje antifetare.