Ish-kandidatja për deputete në listën e hapur të PD në qarkun e Durrësit, Ilirjana Kuçana, në fjalën e mbajtur gjatë protestës së banorëve të përmbytur në qytetin e Durrësit, lëshoi akuza ndaj drejtuesve të bashkisë, ku akuzoi direkt Emirjana Sakon si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.
Kuçana tha se SPAK duhet të hetojë përgjegjësit e dëmeve që i janë shkaktuar banorëve nga përmbytjet.
“Dy prindërit e mi janë përmbytur. Në 2025 kam bërë një kallëzim në SPAK për përmbytjet. Por SPAK e ka deleguar në Durrës për moskompetencë, por ata janë grup i strukturuar kriminal dhe Emirjana Sako duhet të jetë pjesë e hetimit të SPAK.
Por përmbytjet dhe dëmshpërblimin e kanë sjellë në Durrës dhe prokurorët e kanë larë me verën e Ergys Agasit 33 mijë euro. Dje kam bërë një tjetër kallëzim në SPAK për kryetaren e bashkisë, për përmbytjet sa herë bie shi. Kjo nuk është fatkeqësi natyrore, por nga njeriu”, tha Kuçana.
Më tej, ajo ka ftuar qytetarët që të mos frikësohen nga kërcënimet por të dalin në protestë për hallet e tyre.
Ky qark prej ditësh ndodhet nën pushtetin e ujit pas përmbytjeve.








