Qytetarët të revoltuar kanë protestuar këtë të premte para Bashkisë së Durrësit pas përmbytjeve tragjike që përfshinë qytetin.
Kritik janë shprehur ndaj kryetares së bashkisë Emirjana Sako duke thënë se, nuk kanë bërë asnjë investim dhe se vetëm kanë vjedhur paratë e qytetarëve, duke bërë vetëm show.
“Në paguajmë minimalisht 3 mln euro apo 4 mln euro që bashkia e Durrësit mbledh. Unë si administrator pallati kur njoftojnë për një pusetë të bllokuar, nuk vijnë. Currila është e gjitha e bllokuara, erdhi më punëtorët bëri 3-4 foto dhe u largua. Sa kohë që të kemi një administratë të blerë të shitur patronazhistë që paguhen nga taksat tona dhe nuk punojnë Durrësi do të përmbytjet Bashkë me ujin duhet të largojmë edhe këta. Durrësi nuk ka investime, asnjë pastrim nga administrata. Dalin vetëm për show nuk bëjnë asgjë. Kjo protestë ka nisur për përmbytjet por nuk do mbarojë deri në largimin e hajdutëve”, tha ai.
Ata kanë hedhur dyshime se ata banorë që sot nuk janë në protestë janë intimiduar dhe shantazhuar nga qeveria duke i kërcënuar me dëmshpërblimin.
“A keni gjë në dorë? Do ju vrasin? Unë jam nëna juaj jam 74 vjeç. A keni ju prindër? Gjithë ky popull kaq i mirë si po ju duron? U sos durimi!”, shprehet njëra prej tyre.
“Është e qartë që të gjithë këta policë ka ardhur për të shoqëruar djemtë. Njërin e dërguan në komisariat. Këta nuk kapën asnjë nga ata që plasën fishëkzjarre për Vitin e Ri, por njerëzit e lirë. E drejta e protestës është e garantuar nga ligji dhe Kushtetuta. Ju lutemi mos u sprapsi. Disa janë intimiduar dhe nuk kanë ardhur sepse u kanë thënë nuk do t’ju japim dëmshpërblim. Kjo është qeveria e shantazhit. Ku ka para për shishe vere, ka edhe lekë për dëmshpërblime”, deklaron një tjetër.







