Ballina Kulturë Enit Karafili me romanin “Epope intime” fiton çmimin e QKLL

Enit Karafili me romanin “Epope intime” fiton çmimin e QKLL

27
0

U mbajt sot ceremonia e shpalljes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin 2024, ku juria e kryesuar nga z. Besnik Mustafaj, dhe me anëtarë: znj. Dhurata Shehri, znj. Elsa Skënderi Rakipllari, znj. Maklena Nika dhe znj. Fatmira Nikolli shpallën këto fitues:

Çmimi i madh i letërsisë, iu dha:
Znj. Enit Karafili për romanin “Epope intime” (Botimet Pegi)
Për një vepër me forcë të rrallë artistike, e cila ndërton një vizion të pasur letrar mbi përkatësinë identitare dhe thyerjen e tabuve të ngulitura në kodet e trashëguara kulturore, në kapërcyell të zhvendosjeve të trazuara migratore të shqiptarëve jashtë atdheut.

Çmimi i madh i përkthimit iu dha:

Z. Romeo Çollaku për përkthimin e veprës “Retorika” të Aristotelit, (Botimet Albas)
Për përkthimin mjeshtëror të një vepre madhore referenciale në historinë botërore të mendimit, të realizuar me përpikëri dhe saktësi të lartë terminologjike, duke ruajtur strukturën e arsyetimit, ritmin argumentues dhe forcën bindëse të ligjërimit. Një kontribut i vyer dhe i qëndrueshëm në pasurimin e korpusit dhe të diskursit filozofik në gjuhën shqipe.

Çmimi i madh i studimeve iu dha:
znj. Anila Mullahi (Elezi),“Krijimi letrar në proces” (Botimet Pegi)
për realizimin e studimit të parë gjenetik mbi romanet e Dritëro Agollit, fryt i hulumtimeve të thelluara dhe sistematike mbi dorëshkrimet, letërkëmbimet dhe ditarët e autorit. Ky studim vendos një gur themeli me rëndësi të veçantë në përvijimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të metodologjisë së kritikës gjenetike në studimet letrare shqipe.