Ballina Ekonomia Në dhjetor inflacioni u rrit në 2.3%

Në dhjetor inflacioni u rrit në 2.3%

0
33

Çmimet gjatë muajit të kaluar shënuan një rritje sipas të dhënave më të fundit të INSTAT. Në raport evidentohet se indeksi i çmimeve të konsumit në muajin dhjetor rezultoi 2.3%, nga 2.1% që ishte në të njëjtin muaj të vitit 2024.

Kjo tregon se rritja e çmimeve ishte më e lartë muajin e kaluar se në të njëjtën periudhë të 2024.

Rritja e inflacionit në dhjetor është udhëhequr kryesisht nga shtrenjtimi i qirave dhe çmimet e ushqimeve në prag të ndërrimit të viteve.

Grupet kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit janë ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,96%, ndjekur nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,56%.

Sipas INSTAT, krahasuar me muajin dhjetor të 2024, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,8%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 3,6%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,6% dhe me 2.2% grupi “Pije alkoolike dhe duhan”.

Ndërsa sa i përket normës mesatare të inflacionit prej 2.2% për gjithë vitin e kaluar, ajo është nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%, por pritshmëritë janë që gjatë këtij viti të ketë një rritje të çmimeve.