Ballina Kosovë Rezultati/ Përfundon numërimi i të gjitha votave në Kosovë

Rezultati/ Përfundon numërimi i të gjitha votave në Kosovë

33
0

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi me postë, jashtë Kosovës, ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, ka thënë Elezi për KosovaPress.

Sipas tij, KQZ është e gatshme për të shpallë rezultatin përfundimtar, por duhet pritur nëse do të ketë ndonjë ankesë në PZAP.

“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tha Elezi.

Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje mori 51.11 për qind të votave dhe do të ketë 57 vende në Kuvendin e Kosovës, PDK 20.19 për qind dhe do të ketë 22 vende, LDK 13.23 për qind (15 vende) dhe AAK 5.5 për qind (6 vende). Ndërkaq, partitë minoritare i kanë 20 vende në Kuvendin e Kosovës.