Ballina Kosovë Shfuqizohet Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme

Shfuqizohet Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme

36
0

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur antikushtetuese dy vendime të Kuvendit të Kosovës, që lidhen me miratimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në vendimin e saj në rastin KO261/24, Gjykata ka konstatuar se Vendimi Nr. 08-V-798 dhe Vendimi Nr. 08-V-844, të miratuara më 5 dhjetor 2024, nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për shkak të shkeljeve procedurale gjatë procesit të miratimit, shkruan IndeksOnline.

Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese ishte parashtruar nga Abelard Tahiri, së bashku me 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, të cilët kishin kontestuar mënyrën e procedimit të ligjit, përfshirë shmangien nga afatet dhe procedurat e parapara me Rregulloren e Kuvendit.

Gjykata vlerësoi se Kuvendi, përmes këtyre vendimeve, nuk ka respektuar standardet kushtetuese të procesit ligjvënës, duke cenuar parimet e shtetit të së drejtës, sigurisë juridike dhe ndarjes së pushteteve.

Si rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e të dyja vendimeve të Kuvendit, duke e kthyer çështjen në pikën para miratimit të ligjit të kontestuar.

Vendimi është marrë pas një procesi të gjatë shqyrtimi, i cili kishte filluar më 13 dhjetor 2024, ndërsa aktgjykimi përfundimtar u shpall sot, me shumicë votash të gjyqtarëve kushtetues.