Nderron jetë ish-aktori dhe regjisori i mirënjohur i Teatrit “Migjeni”, Edmond Mhilli. Homazhet do të zhvillohen nesër, më 10 janar, nga ora 09:00 deri në 12:00, në hollin e teatrit “Migjeni”.
Edmond Mhilli, i lindur më 23 gusht 1947 në Shkodër, mbaroi Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1970. Gjatë periudhës 1970–1974 punoi si regjisor në Pukë, ndërsa më pas për 15 vjet në Estradën e Shkodrës (1974–1989), duke kontribuar gjithashtu në Radio Shkodra dhe në Shtëpinë e Kulturës së rrethit të Shkodrës. Pas vitit 2003, u angazhua në Teatrin “Migjeni”.
Si regjisor, Mhilli u dallua për shijen e mirë, futjen në repertorin e Estradës së Shkodrës të skecit të gjatë dhe të komedisë me një akt, si dhe për trajtimin realist të situatave komike, vëmendjen e veçantë ndaj fjalës dhe gjestit, dhe mizanskenën e përmbledhur, pa lëvizje të tepërta. Seria e shfaqjeve të tij me titull “Ditë buzëqeshjesh” (1983–1984) fitoi Çmimin e Parë, ndërsa sezoni 1985–1986 u vlerësua si një nga më të mirat në takimet e humorit mes estradave profesioniste të zhvilluara në Shkodër. Në vitin 1980, u cilesua si regjisor më i mirë në Festivalin e Estradave Profesioniste të vendit.
Edmond Mhilli arriti të skenojë komedinë “Gomari i Baba Tasit” të Gjergj Fishtes (1992) së bashku me trupën e aktorëve të Teatrit “Migjeni”. Ai ka shkruar gjithashtu disa pjesë skenike, ku spikat drama “Një histori e thjeshtë”. Pas viteve 2000, ai realizoi shfaqjen “Ylli i mëngjezit”, që trajton historinë e një babai që sakrifikon rininë dhe jetën e tij për të rritur djalin pas humbjes së bashkëshortes, duke ndjekur me sy rritjen dhe zhvillimin e tij. Drama është me autor Odise Plakun.
Edmond Mhilli ka marrë pjesë edhe në film, me një rol të vogël në “Militanti”.







