Ballina Europë Tragjedi në Itali/ Punëtori shqiptar shtypet për vdekje nga makineria

Tragjedi në Itali/ Punëtori shqiptar shtypet për vdekje nga makineria

28
0

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një punëtor me origjinë shqiptare ka humbur jetën teksa po punonte. Viktima është identifikuar si Zevxhet Halili, 59-vjeç, shtetas shqiptar, i cili jetonte në zonën e Sant’Elena, në provincën e Padovës.

Ngjarja tragjike është shënuar pasditen e sotme, rreth orës 16:30, në rrugën “Via Comuna” në Ospedaletto Euganeo, brenda ambienteve të kompanisë SESA, Società Estense Servizi Ambientali, ku 59-vjeçari ishte i punësuar.

Sipas hetimeve paraprake nga karabinierët e stacionit të Este dhe teknikët e SPISAL (Shërbimi për Parandalimin dhe Sigurinë në Vendin e Punës), Halili po kryente disa punime mirëmbajtjeje, kur në rrethana ende të paqarta, ka mbetur i shtypur brenda një makinerie, raportojnë mediat italiane.

Ngjarja ka ndodhur para syve të disa kolegëve, të cilët kanë dhënë menjëherë alarmin. Në vendngjarje kanë mbërritur brenda pak minutash ekipet e SUEM 118, por pavarësisht përpjekjeve për reanimim, 59-vjeçari ka ndërruar jetë pothuajse në vend.

Për rastin është vënë në dijeni Prokuroria e Rovigos, ndërsa zona ku ndodhi aksidenti është sekuestruar për hetime të mëtejshme. Trupi i pajetë i viktimës është transportuar në institutin e mjekësisë ligjore, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.

Autoritetet po hetojnë për të sqaruar nëse ngjarja ka ardhur si pasojë e një defekti teknik, një pakujdesie, apo një problemi shëndetësor të papritur.

Kjo është vdekja e dytë në punë në provincën e Padovës që nga fillimi i vitit. Më 5 janar, një tjetër punëtor, Fabrizio Braghetto, 65-vjeç, humbi jetën në Borgoricco, duke rritur edhe më shumë shqetësimin për sigurinë në vendet e punës.

Ndërkohë, autoritetet italiane raportojnë edhe një tjetër aksident të rëndë në punë në rajonin e Reggio Emilia, ku një punëtor 32-vjeçar ndodhet në gjendje kritike pasi është goditur në kokë nga një strukturë metalike gjatë punës. Ai është transportuar me helikopter në spitalin e Parmës dhe ndodhet në prognosë të rezervuar.

Hetimet për të dyja rastet janë në vijim.