Autoritetet venezuelase kanë nisur lirimin e një numri të të ndaluarve që organizatat për të drejtat e njeriut i konsiderojnë si të burgosur politikë. Ky hap vjen në kohën e rritjes së presionit ndërkombëtar dhe kërkesave të vazhdueshme për përmirësimin e situatës së të drejtave të njeriut në vend.
Qeveria në Karakas ka konfirmuar nisjen e lirimit të të ndaluarve, një veprim që zyrtarët venezuelase e kanë përshkruar si “gjest vullneti të mirë”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës ka bërë të ditur se mes të liruarve janë edhe pesë shtetas spanjollë, përfshirë një aktivist me shtetësi të dyfishtë venezuelaso-spanjolle.
Lirimi i të burgosurve politikë ka qenë prej kohësh një kërkesë e Shteteve të Bashkuara dhe e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht në periudha të tensionuara politike, si gjatë zgjedhjeve apo protestave masive.
Kryetari i parlamentit venezuelas, Jorge Rodríguez, njëherësh vëllai i presidentes në detyrë Delcy Rodríguez, ka deklaruar në televizionin shtetëror se një numër i konsiderueshëm i të burgosurve do të lirohet menjëherë, pa dhënë shifra konkrete apo emra.
Organizatat venezuelase për të drejtat e njeriut, disa prej të cilave kanë edhe themelues të burgosur, e kanë përshëndetur këtë hap, por me kujdes dhe rezerva, duke kërkuar transparencë dhe garanci se procesi i lirimit do të vazhdojë.
Sipas burimeve të pavarura, ndërmjet 50 dhe 80 persona besohet se vazhdojnë të mbahen në burgun famëkeq El Helicoide. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ky burg do të mbyllet pas arrestimit të Nicolás Maduros.



