Ballina Aktualitet Zjarri në magazinat e “5 Majit”, tregtarët akuza: Shkëndijë nga panelet, zjarrfikëset...

Zjarri në magazinat e “5 Majit”, tregtarët akuza: Shkëndijë nga panelet, zjarrfikëset jashtë standardeve

0
62

Një zjarr i përmasave të mëdha që përfshiu magazinat në zonën e “5 Majit” ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa tregtarët e prekur hedhin akuza ndaj institucioneve për shkaqet dhe menaxhimin e emergjencës.

Një prej pronarëve të dyqaneve të shkrumbuara deklaroi për mediat se zjarri ka ardhur si pasojë e një defekti në panelet e dritave, duke përjashtuar çdo përgjegjësi të biznesit të tij. Sipas tij, dëmi i shkaktuar arrin rreth 200 milionë lekë.

Ai tha se biznesi nuk ishte i siguruar, pasi objektet nuk plotësonin kriteret për sigurim. “Me këtë ndërtim këtu nuk sigurohej. Unë paguaja 570 mijë lekë, vajza rreth 1 milion lekë. Nuk erdhi zjarri për fajin tonë, ka plasur te panelet, ja këtu sipër. Shikoni kamerat, ose do t’i fshehin”, u shpreh ai.

Akuza të forta ka ngritur edhe një tregtare tjetër e zonës, e cila është ndër më të dëmtuarat nga zjarri. Ajo kritikon ashpër shërbimin zjarrfikës, duke thënë se mjetet dhe pajisjet e përdorura janë të vjetruara dhe jashtë çdo standardi.

“Zjarrfikëset janë të viteve ’80 dhe ’90. Nuk e di çfarë aparaturash përdorin këto emergjencat për të shuar zjarret. Ndërkohë ne flasim për integrim në Bashkimin Evropian”, u shpreh ajo, duke shtuar se dëmet janë shumë të mëdha.

Sipas saj, kapanonet e saj mund të ishin shpëtuar, pasi në momentin që ajo mbërriti në vendngjarje, ato ende nuk ishin përfshirë nga flakët. “Kur kam ardhur unë, dy kapanonet nuk ishin në zjarr. Zjarri ka kaluar nga lart dhe më pas i ka përfshirë”, tha tregtarja.

Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi rolin e policisë gjatë ngjarjes, duke deklaruar se efektivët nuk kanë ndërhyrë për të ndihmuar, por kanë qëndruar duke vëzhguar situatën. “Policia bënte sehir. Na mbanin neve sikur ishim kriminelë”, përfundoi ajo.