Ballina Bota Diplomatë amerikanë zhvillojnë bisedime në Karakas për rivendosjen e marrëdhënieve SHBA–Venezuelë

Diplomatë amerikanë zhvillojnë bisedime në Karakas për rivendosjen e marrëdhënieve SHBA–Venezuelë

0
30

Diplomatë amerikanë po zhvillojnë sot bisedime në Karakas me synimin për rivendosjen e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës, të cilat janë ndërprerë që prej vitit 2019, pas rrëzimit të presidentit Nikolas Maduro dhe lirimeve të para të kundërshtarëve politikë.

Qeveria e presidentes së përkohshme Delsi Rodrigez “vendosi të nisë një proces eksplorues me qëllim rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve”, deklaroi ministri i Jashtëm i Venezuelës, Ivan Gil.

Sipas tij, diplomatët amerikanë ndodheshin që të premten në Karakas, fakt që u konfirmua edhe nga një zyrtar amerikan, pak pasi Donald Trump deklaroi se kishte “anuluar” një sulm të dytë amerikan kundër Venezuelës, pasi Karakasi “po bashkëpunon” me Uashingtonin.

Trump e cilësoi gjithashtu lirimin e disa kundërshtarëve politikë si “një lëvizje shumë të rëndësishme dhe të zgjuar” nga ana e Karakasit. “SHBA dhe Venezuela po bashkëpunojnë mirë”, veçanërisht “për rindërtimin” e industrisë së naftës, theksoi ai.

Nga ana e saj, Rodrigez deklaroi se vendi i saj nuk është “as i nënshtruar dhe as vasal” i Uashingtonit dhe nënvizoi “besnikërinë ndaj presidentit Nikolas Maduro”.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Venezuelës njoftoi përmes Telegramit se kishte pritur ambasadorin e Rusisë, Sergej Melik-Bagdasarov, duke theksuar se vazhdon “të punojë mbi programin e bashkëpunimit” me Moskën.

Pas një bisede që zhvilloi me presidentët e Brazilit dhe Kolumbisë, Luiz Inacio Lula da Silva dhe Gustavo Petro, si dhe me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, Rodrigez “përsëriti” se Venezuela do të kundërshtojë përmes “rrugës diplomatike” “sulmin kriminal, të paligjshëm dhe të parregullt” të kryer më 3 janar me bombardimet amerikane, përpara kapjes së Madurros.

Qeveria amerikane vazhdon të pengojë eksportet e naftës së Venezuelës. Të premten njoftoi se kishte ndaluar në ujëra ndërkombëtare edhe një tjetër cisternë që ishte nisur nga Venezuela, e pesta në javët e fundit.

Po ashtu, presidenti amerikan priti në Shtëpinë e Bardhë drejtues të gjigantëve të industrisë së naftës, duke i nxitur të shfrytëzojnë zhvillimet për të fituar akses në rezervat gjigante të Venezuelës, duke i siguruar se investimet e tyre do të jenë “plotësisht të sigurta”.

“Do të negocioni drejtpërdrejt me ne, nuk do të negocioni me Venezuelën”, theksoi Trump.

Presidenti dhe drejtori ekzekutiv i ExxonMobil, Darren Woods, deklaroi se nuk do të nxitojë drejt investimeve të reja, duke vlerësuar se është “e pamundur të investosh atje” në kushtet aktuale.

Ndërkohë, kundërshtari politik Edmundo Gonzales Urrutia, i cili ndodhet në mërgim në Spanjë, kërkoi njohjen e fitores së tij përballë Madurros në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Udhëheqësja e opozitës, Maria Corina Machado, e cila u nderua në vitin 2025 me Çmimin Nobel për Paqen, pritet të takohet me Trump në Uashington “javën e ardhshme”.

Në pritje të lirimit të “shumë të burgosurve”, sipas njoftimit të kryetarit të parlamentit Jorge Rodrigez, vëllai i Delsit, dhjetëra familjarë të kundërshtarëve dhe aktivistëve u mblodhën pranë institucioneve korrektuese në Venezuelë.

“Nuk duhet ta humbasim shpresën”, dëgjoheshin të thonin familjet e mbledhura jashtë burgut Rodeo I, në lindje të Karakasit. Pas orësh pritjeje, familjet vendosën ta kalojnë natën e së shtunës në një kamp të improvizuar jashtë burgut.

Sipas Alfredo Romero, avokat i organizatës joqeveritare Foro Penal, vetëm nëntë të burgosur janë liruar dhe “811 të burgosur politikë mbeten ende në Venezuelë”.

“Nga 87 të burgosurit politikë me shtetësi të huaj që mbahen në Venezuelë, dy janë shtetas amerikanë”, shtoi ai në një postim në platformën X.

Pesë shtetas spanjollë që u liruan të enjten mbërritën pasditen e djeshme në Madrid, mes tyre edhe aktivistja dhe avokatja e njohur me shtetësi të dyfishtë, Rocío San Miguel.

Në rrugët e Karakasit, anëtarë të colectivos, grupe paramilitare që kontrollojnë lagjet duke patrulluar të armatosur dhe ndonjëherë me fytyrë të mbuluar, flasin për “shumë tradhti” që çuan në kapjen e Nikolas Madurros. “Jemi gati të luftojmë”, deklaron Uilliam, anëtar i colectivo-s Boina Roja.