Nga Irena Beqiraj
Si njohëse jo e keqe e Kodit Doganor edhe e ligjit të Zonave të Lira, Durana nuk është një lajthitje juridike por një sajesë në kufijtë e marrëzisë .
Marrëzia e tejkalon sferën e korrupsionit . Një i korruptuar kujdeset të përdorë ligjin edhe procedurat ekzistuese për përfitime personale.
Një i marrë është indiferent karshi ligjit, pasi ligji për të nuk ekziston. Për të marrët çdo mjet, çdo sajesë që i ndihmon për të arritur qëllimin është legjitim.
Durana nuk është veçse përdorimi “teknologjisë”, si doganieri për të kaluar mall kontrabandë, por ajo na ofrohet si kopje e zhvillimit teknologjik, në kushtet kur nuk ekziston fare origjinali.
Ajo është inskenim i realitetit i cili redaktohet, rishkruhet dhe përpunohet në mënyrë që të zbehet vija ndarëse midis korrupsionit edhe zhvillimit.
Parku teknologjik Durana , nuk është thjesht në aferë korruptive (sa mirë sikur të ishte vetëm e tillë) do ta ngushëllonim veten me frazën “korrupsioni ekziston në gjithë botën “. Nuk është as kumbulla e dardha të konsumuara kryesisht gratë rreth kryeministrit prapa kurrizit të tij, edhe gjithë progresistëve socialistë të drejtimit të partisë.
Ai është shembulli i hipernormalizimit të gënjeshtrës që u lejua nga socialistët jo vetëm për përfitime ekonomike, por si strategji për përmbytjen e shoqërisë me gënjeshtra për qëllim çmontimin në mënyrë sistematike të infrastrukturës se fakteve.
Faktet që ne jemi një komb i cili në vitin 2024:
1) renditet në vendin e 84 në botë në Indeksin e Teknologjisë edhe Inovacionit edhe në vendin e parafundit në Europë;
2) blen shërbimet edhe produktet e teknologjisë edhe informacionit duke zënë vendin e 66 në Europë në blerjen e imputeve teknologjike, por fatkeqësisht radhitet në vendin e 97 në botë edhe e fundit në Ballkan prodhimin e teknologjive pra i fundit në outputin teknologjik;
3) renditet në vendin 84 në Indeksin e Gadishmërisë së Rrjeteve teknologjike pikërisht për shkak të zhvillimit të ulët teknologjik, duheshin çmontuar!
Ndaj u duhej Diella, Durana , materniteti i Diellës, pasi publiku duhet të jetonte në iluzionin kryeministror se:
“Shqipëria është një komb që guxon të udhëheqë dhe jo të ndjekë, në ballë të shkencës dhe teknologjisë në këtë rajon”.
E pra, Diella, Durana, matreniteti i Diellës nuk janë instrumente vetëm për të përfituar një grup njerëzish por krijime të sajuara me kujdes që synojnë mpirjen e rebelimin tonë karshi atyre që na vjedhin jo më përmes forcës, por përmes rritjes së paaftësisë së njohjes.
Kanë shkelur vetëm ligjin, kanë përfituar padrejtësisht para publike? Jo.
Më keq, marrëzinë na i kanë shitur si zhvillim!



