Fillimi i mbylljes së grup-kapitujve përgjatë 2026-s tashmë nuk është thjesht një ambicie politike. Projeksioni i deritanishëm dalë nga realizimi i hapave përgatitorë legjislativë e adreson përgjigjen në disa prej tyre së bashku me proceset përkatëse.
“Gjatë viti 2026 do të duhet të përgatitet pothuajse i gjithë legjislacioni, i cili pjesërisht do të duhet të miratohet në fund të viti 2026 dhe pjesërisht në gjysmën e parë të 2027. Kjo do të thotë një ndrysim rrënjësor i të gjithë praktikave që ne jemi mësuar. Në vitin 2026 ne jemi gati për të mbyllur disa kapituj duke nisur që me kapitujt themelorë, që janë në një stad të avancuar, dhe pastaj kemi disa kapituj që lidhen me marrëdhëniet me jashtë, që ka të bëjë me tregtinë dhe politikën e jashtme, ashtu edhe me politikën industriale, që janë në një stad të avancuar dhe pritshmëritë janë që brenda gjysmës së parë të 2026 ne të fillojmë dhe të shohim rezultat me mbylljen e disa kapitujve. I gjithë legjislacioni i ri që po aprovohet të komunikohet me të gjithë segmentet e shoqërisë shqiptare, që nga konsumatorët nga njëra anë deri tek prodhuesit dhe tregtarët nga ana tjetër, në mënyrë që të gjithë të jemi të njohur me zhvillimet më të fundit ligjore, t’i zbatojmë ato dhe të jemi pastaj gati për t’u anëtarësuar në tregun e vetëm evropian”, tha zv.ministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu.
Procesi ka ndërvarje edhe nga vetë grupkapitujt.
“Integrimi evropian është i ndërlidhur ngushtësisht me ato grup-kapitujt që u hapën të parat, që quhen si Themeloret, të cilët kanë disa piketa të ndërmjetme. Pa mbylljen e piketave të ndërmjetme të kapitujve që lidhen me elementët themelorë, që është shteti i së drejtës, statistikat etj. nuk mund të procedohet me mbylljen e kapitujve të tjerë që kanë të bëjnë me zhvillimin, me ekonominë, bujqësinë, mjedisin dhe me radhë”, tha zv.ministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu.







