Ballina Ekonomia Kufizimi i pagesave me para në dorë, eksperti i ekonomisë: Një masë...

Kufizimi i pagesave me para në dorë, eksperti i ekonomisë: Një masë drejt formalizimit, por e pamjaftueshme

20
0

Nga 1 janari 2026, Shqipëria hyn zyrtarisht në një fazë të re të kufizimit të parasë cash, si pjesë e nismës për formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e transparencës financiare.

Masat e reja vendosin kufij për pagesat në dorë për individët dhe bizneset, duke orientuar transaksionet drejt bankave dhe mjeteve elektronike.

Eksperti i ekonomisë Klodian Muço, zbatimin e kësaj nisme e ndan në dy grupe.

“Qytetet kryesore, ato të zhvilluara, qytetet bregdetare dhe pastaj është zona periferike. Nevojitet edukimi, nevojitet pajisja, interneti dhe qartësimi i bizneseve. Limitimi sigurisht është një masë, por e pamjaftueshme”, tha eksperti.

Me qellim finalizimin e kësaj nisme, Muço sugjeron eliminimin e kostove shtesë për sipërmarrjen.

“Që të reduktosh evazionin, duhet t’i futësh brenda sistemit të gjitha bizneset. Nëse ti i bie barrë biznesit për këtë gjë, atëherë biznesi do ta refuzojë këtë pagesë dhe do ta bëjë të pamundur”, tha eksperti.

Me hyrjen në fuqi të këtyre rregullave dhe detyrimin për përdorimin e POS-it, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe transportit, autoritetet synojnë një ekonomi më të gjurmueshme dhe më pak informale.

Sfida tani mbetet zbatimi në praktikë dhe përshtatja e qytetarëve dhe bizneseve me realitetin e ri “cashless”.